Kica-Xhelili: Vetëvendosje donte ta përdorte LDK-në si dekor për të shkuar në zgjedhje

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka synuar ta përdorë LDK-në vetëm si “dekor” për të çuar vendin në zgjedhje të reja. Ajo iu drejtua nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, duke vënë në dyshim sinqeritetin e deklarimeve të tij lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve të kaluara. “Po…

Lajme

05/06/2026 21:52

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka synuar ta përdorë LDK-në vetëm si “dekor” për të çuar vendin në zgjedhje të reja.

Ajo iu drejtua nënkryetarit të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, duke vënë në dyshim sinqeritetin e deklarimeve të tij lidhur me zhvillimet politike pas zgjedhjeve të kaluara.

“Po të kishim një poligraf për Glaukun, do të tregonte se sa jo i sinqertë është sonte. Kush ishte i pari që tha pas zgjedhjeve të kaluara se ka mundësi të shkojmë sërish në zgjedhje? Ishte Albin Kurti. Kush tha se nëse nuk i marrim 80 deputetë, do të shkojmë përsëri në zgjedhje? Ishte po ashtu Albin Kurti”, deklaroi Kica-Xhelili në Duakgjini.

Ajo tha se Vetëvendosje nuk kishte obligim kushtetues që opozita t’ia siguronte kuorumin dhe se kjo po paraqitet gabimisht në opinion.

“Mos u bëj sikur beson se Gjykata Kushtetuese ka thënë që ne patjetër duhet t’ua bëjmë juve kuorumin. Nuk e keni pasur një obligim të tillë nga opozita”, tha ajo.

Kica-Xhelili shtoi se Vetëvendosje asnjëherë nuk e kishte ofruar mundësinë që LDK-ja të propozonte kandidatin për president, duke pretenduar se ky post është trajtuar pa seriozitet.

“Në tavolinat me PDK-në kurrë nuk e keni ofruar mundësinë që ne ta propozojmë presidentin. Postin e presidentit e keni trajtuar sikur të ishte një stendë në shesh. Presidenti nuk zgjidhet në 24 orët e fundit”, u shpreh ajo.

Sipas saj, gjatë negociatave Vetëvendosje kishte ndryshuar vazhdimisht emrat e propozuar për pozita të larta shtetërore.

“Në sinqeritetin tonë, për rreth 15 emra ju keni ndryshuar qëndrime, nga Glauk Konjufca te Feride Rushiti. Keni qenë të pavendosur. Loja juaj politike ka qenë që LDK-ja të bëhej dekor për t’ju çuar në zgjedhje”, deklaroi Kica-Xhelili.