Kica-Xhelili: LDK nuk ndërron qëndrim, seancat çdo 48 orë janë humbje kohe
Doarsa Kica-Xhelili, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka folur lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Kica-Xhelili ka thënë se si LDK e kuptojnë të drejtën e partisë fituese që të propozojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit të Kosovës. “Kjo nuk është kontestuar asnjëherë. Por, duhet ta kuptojmë gjithashtu…

Lajme
Doarsa Kica-Xhelili, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka folur lidhur me bllokimin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Kica-Xhelili ka thënë se si LDK e kuptojnë të drejtën e partisë fituese që të propozojë kandidatin e saj për kryetar të Kuvendit të Kosovës.
“Kjo nuk është kontestuar asnjëherë. Por, duhet ta kuptojmë gjithashtu se partia më e madhe sipas votave ka për detyrim të krijoj konsensus politik në raport me kandidatin që e sjell për tu votuar si kryetar i Kuvendit. Tani nëse nuk ka një marrëveshje të tillë politike, për vlerësimin tonë është humbje kohe që të ftohen seanca çdo 48 orë dhe në mungesë të një marrëveshje të tillë politike ne të kthehemi në ato seanca për një retorik boshe pesë minutëshe duke ua humbur kohen të gjithëve dhe të hyjmë në njëfarë përsëritje të kotë dhe të pozicionimeve të njëjta”, ka thënë ajo, për RTV Dukagjini.
Tutje ajo është shprehur se nëse nuk ndryshon partia fituese, nuk do të ndryshoj asgjë sepse “ne nuk mund të ndryshojmë qëndrimin kur nuk kanë ndryshuar rrethanat”.
“Ne jemi parti politike me 20 deputet në Kuvend nga 120 sosh”, ka thënë Kica-Xhelili.
Ajo ka thënë se mund të ketë parti politike të cilat mund të kenë gatishmëri që të krijojnë konsensus politik në raport me kandidaten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës, por LDK-ja sipas saj nuk e ofron një mundësi të tillë.
Kica-Xhelili ka thënë se rrugëtimi politik i Albulena Haxhiut, e nominuar për kryekuvendare nga Lëvizja Vetëvendosje, është rrugëtim i ndërtuar mbi ofendime dhe jo mbi vlerësime politike e ligjore.
“Rrugëtimi politik i Albulena Haxhiut është ndërtuar mbi ofendime, e jo mbi vlerësime politike e ligjore”.
“Unë nuk kam si ta quaj përveç hipokrizi performative. U flet veç militantëve të vet, asgjë të vërtetë nuk ka çka flet.”
Ajo tutje ka thënë se Kryetari i Kuvendit nuk e përfaqëson partinë politike, ai e përfaqëson Kuvendin, por vetëm si e drejtë i përket partisë më të madhe.
“Dallimi i Kryetarit të Kuvendit me nënkryetarët është pikërisht ky, sepse ai përfaqëson Kuvendin, e ata tjerët janë veç emërime politike”, ka thënë Kica-Xhelili.