KFOR nis tërheqjen graduale nga Ura e Ibrit: Vendimi vjen pas përmirësimit të sigurisë, por do të jemi ende në veri dhe jug të Mitrovicës
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur procesin gradual të tërheqjes së pranisë së përhershme nga Ura Kryesore në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë si pjesë të optimizimit të pozicionimit të tij në terren. Në një përgjigje për lajmi.net, KFOR ka thënë se vendimi vjen në kuadër të vlerësimit të situatës së sigurisë në…
Lajme
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka nisur procesin gradual të tërheqjes së pranisë së përhershme nga Ura Kryesore në Mitrovicë, duke e cilësuar këtë si pjesë të optimizimit të pozicionimit të tij në terren.
Në një përgjigje për lajmi.net, KFOR ka thënë se vendimi vjen në kuadër të vlerësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.
“KFOR ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga Ura Kryesore në Mitrovicë”, thuhet në përgjigje.
Sipas KFOR-it, procesi do të zhvillohet në mënyrë graduale dhe do të varet nga kushtet në terren. Për këtë çështje, misioni thotë se është duke u koordinuar me institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare, Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
Në njoftim bëhet e ditur se edhe shefi i Mbrojtjes së Serbisë, gjenerali Mojsiloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.
KFOR ka theksuar se, pavarësisht largimit të pranisë së përhershme nga ura, nuk do të largohet nga Mitrovica dhe veriu i Kosovës.
“KFOR do të mbajë prani të dukshme në Mitrovicën e Jugut dhe të Veriut dhe në veriun e Kosovës, duke vazhduar kontributin për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet”, thuhet në përgjigje.
Misioni i NATO-s ka bërë të ditur se trupat e tij mbeten të pozicionuara për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mundshëm të sigurisë.
KFOR ka rikujtuar se vazhdon ta zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Misioni ka theksuar se do të vazhdojë bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në reagimin ndaj çështjeve të sigurisë.
Ndryshe sot është bërë e ditur se KFOR-i ka ka bartur përgjegjësitë nga sot tek Policia e Kosovës në zonën përreth Manastirit të Deçanit.
Lajmin e ka dhënë komuna e Deçanit.
Ata kanë thënë se Komuna e Deçanit e ka bërë të qartë vazhdimisht, në të gjitha takimet dhe komunikimet zyrtare me institucionet dhe nivelet e sigurisë në Republikën e Kosovës, se Deçani është një komunë e qetë, e sigurt dhe shembull i bashkëjetesës dhe respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve.
“Këtë realitet e dëshmon edhe vendimi i sotëm i KFOR-it për bartjen e përgjegjësive të sigurisë tek Policia e Kosovës në zonën përreth Manastirit të Deçanit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e normalizimit dhe forcimit të përgjegjësive të institucioneve vendore të sigurisë. Komuna e Deçanit shpreh mirënjohjen e saj të thellë për KFOR-in, NATO-n dhe të gjitha shtetet anëtare që kanë shërbyer dhe vazhdojnë të shërbejnë në Deçan dhe në Republikën e Kosovës, për punën e jashtëzakonshme, përkushtimin dhe kontributin e tyre të çmuar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë. Populli i Kosovës do t’ju jetë përherë mirënjohës për kontributin tuaj në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes në vendin tonë” thuhet në njoftim./Lajmi.net/