KFOR forcon kapacitetet operacionale përmes ushtrimeve të përbashkëta me ushtrinë daneze

Ushtarët e Komandës Rajonale Lindje (RC-E), në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë – KFOR, kanë zhvilluar ushtrime të transportit ajror të pajisjeve së bashku me pjesëtarë të Forcave të Armatosura Daneze në kampin “Novo Selo”. Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtrimet kishin për qëllim avancimin e aftësive për transportimin e sigurt të…

Lajme

17/05/2026 15:41

Ushtarët e Komandës Rajonale Lindje (RC-E), në kuadër të misionit të udhëhequr nga NATO në Kosovë – KFOR, kanë zhvilluar ushtrime të transportit ajror të pajisjeve së bashku me pjesëtarë të Forcave të Armatosura Daneze në kampin “Novo Selo”.

Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtrimet kishin për qëllim avancimin e aftësive për transportimin e sigurt të pajisjeve dhe mbështetjen e operacioneve në rajon.

“Ushtarët e Komandës Rajonale Lindje zhvilluan trajnim për sling-load së bashku me personelin e Forcave të Armatosura Daneze në kampin Novo Selo, për të përmirësuar aftësinë e tyre për transportimin ajror të sigurt të pajisjeve dhe mbështetjen e operacioneve në rajon”, thuhet në njoftim.

KFOR ka theksuar se këto aktivitete rrisin bashkëpunimin ndërmjet forcave shumëkombëshe dhe përmirësojnë transportin e sigurt të pajisjeve dhe furnizimeve në kushte të vështira.

“Këto aktivitete përmirësojnë ndërveprueshmërinë ndërmjet forcave shumëkombëshe dhe forcojnë kapacitetin operacional të KFOR-it, duke reflektuar përkushtimin e vazhdueshëm për garantimin e një ambienti të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.

Në fund, KFOR ka rikujtuar se vazhdon zbatimin e mandatit të tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX.