Këto janë përfitimet e Kosovës pas heqjes së masave
Kosova do të përfitojë 205 milionë euro ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian, pas largimit të masave ndëshkuese. Në Komisionin Evropian thanë për KosovaPress se tani do të procedojnë me lirimin e kësaj shume, derisa tregojnë edhe cilat projekte do të përfitojë Kosova pas largimit të masave. Sipas tyre, lirimi i ardhshëm përfundimtar i fondeve do…
Lajme
Kosova do të përfitojë 205 milionë euro ndihmë financiare nga Bashkimi Evropian, pas largimit të masave ndëshkuese.
Në Komisionin Evropian thanë për KosovaPress se tani do të procedojnë me lirimin e kësaj shume, derisa tregojnë edhe cilat projekte do të përfitojë Kosova pas largimit të masave.
Sipas tyre, lirimi i ardhshëm përfundimtar i fondeve do të përfshijë: 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
“Pas përfundimit të procedurave të brendshme, konfirmojmë se Komisioni tani mund të procedojë me lirimin e shumës së mbetur prej 205 milionë eurosh të ndihmës financiare. Lirimi i ardhshëm përfundimtar i fondeve do të përfshijë: 74 milionë euro për projekte në kuadër të programeve vjetore IPA 2021 dhe 2022, si dhe 131 milionë euro për projekte në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian Anitta Hipper për KosovaPress.
Ajo shton se Komisioni dhe Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS) do të forcojnë angazhimin e tyre me autoritetet e Kosovës.
“Kosova tani pritet gjithashtu të intensifikojë zbatimin e reformave të nevojshme të lidhura me Bashkimin Evropian dhe të avancojë në përmbushjen e obligimeve të ndërmarra në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të ndjekë dhe të vlerësojë situatën nga afër”, tha ajo.
KosovaPress ka pyetur edhe në qeverinë e Kosovës se cilat do të jenë përfitimet kryesore të Kosovës pas heqjes së masave, mirëpo deri këto momente nuk kanë kthyer përgjigje.
Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane, Gazmend Qorraj, thotë për KosovaPress se krahas përfitimeve financiare, me heqjen e masave vendi mund të përfitojë edhe në aspektin politik.
“Është lajm pozitiv i shumëpritur, sepse fondet dhe shumat financiare kanë qenë të koordinuara dhe planifikuara për Kosovën. Kryesisht flitet për fondet e IPA-s, që janë të planifikuara për periudhën 2021-2027, IPA III. Ka edhe programe të tjera që normalisht dakordohen dhe Kosova mund të përfitojë prej tyre. Përtej kësaj, është lajm i mirë dhe mund të ketë lëvizje përpara edhe në aspektin politik. Mendoj se BE-ja tash e ka edhe një qasje më ndryshe me heqjen e këtyre masave financiare”, thotë ai.
Bashkimi Evropian (BE) vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023. Masat u vendosën si përgjigje për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, pasi kryetarët shqiptarë të katër komunave në veri morën mandatin.