Këshilltari i Gërvallës “rehatohet” në Ministri të Mbrojtjes, përzgjidhet i pari për pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm
Leutrim Sahiti, këshilltar politik i zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla, është në rrugë të mirë për t`u rehatuar në një pozitë të lartë shtetërore. Gazeta Nacionale ka mësuar se ai është përzgjedhur për pozitën Inspektor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes. Sipas rezultateve përfundimtare të procesit të rekrutimit, që janë publikuar më 25 qershor të…

Lajme
Leutrim Sahiti, këshilltar politik i zëvendëskryeministres në detyrë, Donika Gërvalla, është në rrugë të mirë për t`u rehatuar në një pozitë të lartë shtetërore.
Gazeta Nacionale ka mësuar se ai është përzgjedhur për pozitën Inspektor i Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas rezultateve përfundimtare të procesit të rekrutimit, që janë publikuar më 25 qershor të këtij, Sahiti ka marrë 87 pikë, duke u renditur i pari.
63.6 pikë ai ka marrë në testin më shkrim, kurse 23.4 pikë në intervistën me gojë.
Pas tij është renditur Xhevat Llumnica me 85.8 pikë.
Në garë për këtë pozitë të rëndësishme ishin edhe Faruk Hoti, Muhamet Kiçina, Pajtim Zogaj, Bekim Brahimi, Arian Musa, Besa Kokollari-Behra, Petrit Bicaj dhe Mensur Maloku.
Njoftimi për rezultat përfundimtare për këtë konkurs përmban edhe këshillën juridike, e cila tregon se kandidatët e pakënaqur me procesin e rekrutimit, kanë të drejt ankesë në KPMShCK në afat prej 30 ditëve nga dita e publikimit të këtij njoftimi.
Më 24 janar të vitit 2024, Sahiti ishte emëruar Këshilltar Politik për Marrëdhënie me Publikun dhe Media në Kabinetin e Donika Gërvallës.
Përmes një statusi në profilin e tij në “Facebook”, Sahiti ishte shprehur krenar me pozitën e re, duke thurur lavde për Garvallën.
“Jam i nderuar që me përgjegjësi të plotë, besim dhe përkushtim maksimal të bashkëpunoj me vajzën e ideologut dhe heroit kombëtar, Jusuf Gërvalla. Me njerëz të dëshmuar historikisht, atdhetarë, të vendosur dhe të pakorruptuar ecim tutje me suksese të reja për shtetin dhe qytetarët”, kishte shkruar ai.

Ndonëse deri me tani Sahiti nuk është marrë asnjëherë me çështje ushtarake, nëse nuk anulohet ky konkurs, ai do të merret edhe këto çështje.
Sipas konkursit, përshkrimi i detyrave të punës për pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm është që të realizon inspektime sipas planeve, rekomandimeve dhe urdhrave të Shefit te Njëjësisë; të ndihmon Listën e Inspektimeve në bazë të udhëzimeve të Shefit te Njëjësisë, raportimeve dhe mjeteve të tjera të vlerësimit, dokumenteve strategjike, si dhe nevojave tjera të identifikuara; të harton raporte të shkruara pas çdo Inspektimi; të bën ngritja e standardeve, efiçiencës, efektivitetit dhe integritetit me qëllim të mbështetjes dhe përmbushjes së objektivave të Inspektorit Gjeneral; të bën rekomandime sipas udhëzimit për përmirësimin e përputhjes, proceseve të brendshme dhe vendimmarrjen; të siguron autoritetit të duhur udhëzime të duhura, si dhe këshilla të sakta, të pa anshme dhe eksperte; të merr pjesë në hartimin e planit vjetor si dhe zbatimin e tij për pjesën e detyrave që i janë ngarkuar; të bikëqyr, monitoron dhe jep këshilla në zbatimin e rekomandimeve në Raportin Shefit te Njëjësisë; të kkontrollon zbatimin e ligjshmërisë për fushën që mbulon ,dhe një mori detyrash të natyrës komplekse ose specifike në mënyrë individuale dhe ekipore; të kryej inspektime të sistemeve, funksioneve, programeve, dhe aktiviteteve të përgjithshme apo të veçanta, të cilat shërbejnë si mjet mbështetës në procesin e vendimmarrjes për Shefit te Njëjësisë.
Kjo nuk është hera e parë që ministrat në Qeverinë Kurti, në fund të mandatit, po i rehatojnë këshilltarët e tyre me pozita të përhershme shtetërore.
Në fund të mandatit, një gjë të tillë e ka bërë edhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, duke i rehatuar disa këshilltarë të tij.
Rehatimi i këshilltarëve të ministrave me pozita të përhershme shtetërore është bërë i mundur me Ligjin e ri për Zyrtarët Publikë.