Këshilltarët politik të ministrit Shala kthehen në shërbyes civil në MTI

Dy këshilltarë politik të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endit Shala, janë punësuar me konkurs mbi shërbimin civil në ministrinë që drejtohet nga Shala.

Lajme

06/05/2019 16:07

Nysret Vojvoda dhe Sahit Svirca pranuan që të degradohen në pozitë vetëm që të kenë të ardhura më afatgjate.

Të dy kanë qenë këshilltarë politik të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, dhe tash të dy janë punësuar me konkurs në MTI, shkruan lajmi.net.

Ata pjesë e strukturave të partisë së ministrit Shala. Svirca u punësua në mars të këtij viti, në konkursin ‘Inspektor i tregut’.

Ndërsa Vojvoda është punësuar para katër ditëve në konkursin e hapur për pozitën “Zyrtar i lartë për zhvillim dhe monitorim të zbatimit të projekteve”.

Ai doli si më i miri me gjithsej 84.2 pikë. Lajmi.net ka kërkuar përgjigje nga MTI-ja lidhur me atë nëse ka pasur ndikim nga ana e ministrit në këtë punësim, por zyra për informim e kësaj ministrie nuk ka kthyer përgjigje.

Po ashtu, nuk dihet se sa kandidat kanë qenë në garë për këtë pozitë, apo edhe nese ka ankesa të parashtruara.

Me datë 24.07. 2017 Vojvoda ishte emëruar anëtar i Komisionit Zgjedhor të Zgjedhjeve në Komunën e Vushtrrisë, nga subjekti politik ‘Nisa për Kosovën”, duke e zëvendësuar një anëtar tjetër.

Sipas ligjeve në fuqi të Kosovës, mohimi i kushteve të barabarta në punësime është vepër penale.

“Në bazë të nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS me nr. 04/L-082 i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Neni 222. Cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë. Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç që është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet”, thuhet në Kushtetutën e Kosovës.

Para pak ditëve, me konkurs të rregullt është punësuar edhe kryetari i degës së Nisma-s, në degën “Kodra e Trimave”, Sahit Svirca, i cili po ashtu ka qenë këshilltar i ministrit Endrit Shala. Ai ishte pranuar në punë në pozitën ‘Inspektor i tregut’, në muajin mars.

Punësime partiake e familjare kanë ndodhur edhe në konkurse tjetra në këtë ministri.

Madje, dyert e punësimit janë hapur për secilin anëtar të Nismës në dikasteret qeveritare që udhëhiqen nga kjo parti. /Lajmi.net/