Edhe një anëtar i Nismës Socialdemokrate punësohet në MTI

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që udhëhiqet nga Endrit Shala i partisë së Nismës Socialdemokrate, po rehaton në këtë institucion familjarë të bashkëpartiakëve.

Lajme

12/03/2019 17:21

Nisma Socialdemokrate që drejtohet nga Fatmir Limaj nuk ka të ndalur me punësimet partiake. Nëpërmjet konkurseve të rregullta, kjo parti po punëson njerëzit e vetë në të gjitha ministritë që drejtohen nga NISMA, shkruan lajmi.net.

Punësimi i fundit është bërë në ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që udhëhiqet nga Endit Shala.

Inspektor i tregut është përzgjedhur me konkurs, Sahit Svirca. Lajmi.net ka mësuar se ai vjen nga partia e Fatmir Limajt.

Lexo edhe:

Fatmir Limaj e ‘kap’ fort shtetin, punëson farefisin e vet e të partisë

Më 27 tetor 2018, është mbajtur kuvendi i dytë i nëndegës në lagjen ‘Kodra e trimave’ në Prishtinë, me shumicë të votave, kryetar ishte zgjedhur Sahit Svirca.

Svirca është këshilltar i ministrit Endrit Shala në cilësinë e këshilltarit ka marrë disa aksione së bashku me inspektoratin e tregut.

Nuk dihet sa kandidatë kanë garuar për këtë pozitë, pasi ministria ka njoftuar vetëm për personin e përzgjedhur nga ana e komisionit. Sipas njoftimit, Svirca ka grumbulluar 80.95 pikë.

“Kundër këtij njoftimi palët kanë të drejtë ankese në Komisionin për Zgjidhjen e Kontesteve dhe Ankesave në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë brenda 30 ditëve”, thuhet në njoftimin final të konkursit.

Në MTI, nuk kanë dashur të japin asnjë informatë për këtë punësim për lajmi.net.

Por, para pak ditëve lajmi.net ka gjetur se Donjeta Bytyqi është njëra prej punësimeve në MTI.

Ajo u zgjodh si më e mira për pozitën “Zyrtar i lartë për ekzaminim” në konkursin që u hapë për këtë pozitë.

Lajmi.net ka mësuar se Bytyçi është mbesa e deputetit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala. Burimet e lajmi.net kanë treguar se e njëjta nuk i ka plotësuar kriteret që vetë MTI-ja i ka vendosur në konkurs, respektivisht nuk e ka përmbushur kriterin e përvojës së punës që është kërkuar që kandidati të këtë minimum tri vite përvojë pune profesionale. Se është mbesa e tij, e ka pranuar për lajmi.net vetë deputeti Shala.

Ndërkohë, ministria e Tregtisë dhe Industrisë, që udhëhiqet nga partia Nisma Socialdemokrate i ka hapur dyert edhe për njerëzit tjerë të afërm të krerëve të kësaj partie. Mediet kanë raportuar se si janë punësuar të afërmit e Fatmir Limajt, Jakup Krasniqit e Valdete Bajramit.

Veron Selmani, burri i vajzës së Fatmir Limajt, është punësuar në MTI në pozitën, sipas JnN-së, konsulent për çështje financiar.

Veron Selmani është angazhuar me kontratë për shërbime të veçanta në mars të vitit 2018 në Agjencinë KISEA. Kjo Agjenci është në kuadër të MTI-së. Në të njëjtën ministri është punësuar Durim Limaj, djali i Fatmir Limajt.

Ndërkohë, Taulant Krasniqi, nipi i Jakup Krasniqit, është punësuar si inspektor i naftës në MTI. Kunata e ish-deputetes Valdete Bajramit do të kujdeset për monitorimin dhe kontrollin e cilësisë së naftës. Ajo është punësuar në MTI përmes një konkursi, kriteret e të cilit ishin vendosur në përputhje me shkollimin e saj. Shkëndije Bajrami -Azizi, kunata e Bajramit, është pranuar në punë përmes konkursit të dytë për inspektore e tregut për cilësinë e naftës. /Lajmi.net/