Këshilli i Familjarëve të të Zhdukurve i bashkohet protestës për çlirimtarët në Tiranë
Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve në Kosovë (KKAFZhK) do t’i bashkohet protestës mbarëkombëtare “Unë jam UÇK” e cila do të mbahet nesër në Tiranë, në përkrahje të çlirimtarëve, të cilët aktualisht po përballen me procese gjyqësore në Hagë. Përmes një njoftimi për media, shoqatat anëtare të KKAFZhK dhe familjarët e personave të…

Lajme
Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve në Kosovë (KKAFZhK) do t’i bashkohet protestës mbarëkombëtare “Unë jam UÇK” e cila do të mbahet nesër në Tiranë, në përkrahje të çlirimtarëve, të cilët aktualisht po përballen me procese gjyqësore në Hagë.
Përmes një njoftimi për media, shoqatat anëtare të KKAFZhK dhe familjarët e personave të zhdukur shprehin mbështetje të plotë për organizimin e kësaj proteste, duke e konsideruar gjykimin e çlirimtarëve si të padrejtë dhe një devijim nga prioritetet themelore të drejtësisë tranzicionale në Kosovë.
“Ne theksojmë se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me forcë gjatë luftës mbetet çështje parësore dhe urgjente për shoqërinë tonë. Me mbi 1500 persona ende të zhdukur, është e domosdoshme që përpjekjet për drejtësi të përqendrohen në këtë plagë të hapur, përpara çdo trajtimi tjetër të njëanshëm të së kaluarës”, thuhet në njoftim.
Më tej, KKAFZhk kërkon që drejtësia të vihet në vend pa vonesë, që çdo krim të hetohet në mënyrë të drejt dhe që agresori – shteti serb, të mbahet përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.
“Shpresojmë dhe besojmë se shumë shpejt do të zbardhet fati i çdo personi të zhdukur dhe se familjarët do të mund të prehen në paqe, me të vërtetën dhe drejtësinë e plotë”, përmbyllet njoftimi.