KESCO alarmoi për import masiv, reagon Dalipi: Vëllai im nuk ka blerë as nuk shitur asnjë megavat, s’ka lidhje me KEK

Shefi i stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Luan Dalipi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se kompania e vëllait tij s’ka blerë e as nuk ka shitur as një megavat, dhe se e njëjta s’ka asnjë lidhje me KEK-un. Në postimin e tij, ai ka shkruar edhe se…

Lajme

20/06/2025 22:14

Shefi i stafit të kryeministrit në detyrë Albin Kurtit, Luan Dalipi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ka thënë se kompania e vëllait tij s’ka blerë e as nuk ka shitur as një megavat, dhe se e njëjta s’ka asnjë lidhje me KEK-un.

Në postimin e tij, ai ka shkruar edhe se blerja dhe shitja e energjisë në treg të lirë nuk bëhet nga shteti, por mes kompanive private, dhe se po ashtu, në këto ‘‘marrëdhënie tregtare’’ s’ka as buxhet shtetëror e as ndërhyrje qeveritare.

Postimi:

Mos bini pre e gënjeshtrave që shiten për opinione!

Në emër tim dhe në cilësinë time zyrtare, ndjej detyrë të reagoj ndaj një vale shpifjesh që po qarkullojnë në rrjet e media, të cilat nuk kanë as lidhje me të vërtetën dhe as interesin publik, por shërbejnë vetëm si mjet panikimi dhe klikimi.

Për ata që, me qëllim apo pa dije, po përhapin narrativa të frikshme se gjoja ‘po krijohet një skemë kriminale’ në tregun e energjisë, dua të ritheksoj qartë dhe prerë:

Unë jam deklaruar publikisht lidhur me aplikimin e vëllait tim për një licencë tregtie në treg të hapur të energjisë, dhe çdo proces ka qenë plotësisht ligjor, i hapur dhe i barabartë. Licencat nuk janë as me kuota, as me privilegje. E drejta për të aplikuar i takon çdo qytetari e kompanie që plotëson kriteret. Asnjë favor, asnjë ndikim.

Blerja dhe shitja e energjisë në treg të lirë nuk bëhet nga shteti, por mes kompanive private. Nuk ka as buxhet shtetëror, as ndërhyrje qeveritare në këto marrëdhënie tregtare.

Sa më shumë kompani, aq më shumë konkurrencë, dhe për rrjedhojë çmime më të ulëta për konsumatorin. Kjo është logjikë e pastër tregu, që përfiton qytetari, jo ndonjë ‘skemë e errët’.

Zgjedhja e furnizuesit është e lirë – askush nuk imponohet të blejë nga një kompani e caktuar.

Edhe njëherë për sqarim: kompania e vëllaut ka bërë vetëm një aplikim për licencë. Nuk ka blerë, nuk ka shitur as edhe një megavat, dhe s’ka asnjë lidhje me KEK-un.

Andaj, përpjekja e disa opinionistëve për të ndërtuar narrativa të errëta mafioze mbi një proces krejtësisht ligjor e transparent, nuk është as analizë, as hetim – është vetëm tentativë e ulët për të barazuar Qeverinë Kurti me të kaluarën.

Për fat të keq, në mungesë të aferave reale, disa janë bërë ‘detektivë të improvizuar’, që mbështeten te trillimi për të goditur një qeveri që, për dallim nga të mëparshmet, po e forcon demokracinë, rendin dhe ligjin, dhe po e çon Kosovën drejt zhvillimit të qëndrueshëm.

Kujtojmë:

KEK ka nisur projekte në vlerë prej 400 milionë eurosh – për modernizimin e termoelektranave dhe ndërtimin e një parku solar prej 100 MW.

Qeveria Kurti ka mbështetur mbi 700 ndërmarrje me grante për makineri, certifikim dhe eksport, si dhe mbi 400 të tjera me subvencione për kredi – duke ndikuar në dyfishimin e eksporteve dhe përmirësimin e raportit eksport-import nga 1:9 në 1:6. Tani po përgatitet mbështetja e radhës: subvencione për panele solare, izolim termik dhe bateri.

ZRRE e mbikëqyr KEDS-in dhe KESCO-n, kompani të privatizuara në vitin 2013, në kohën e Qeverisë Thaçi.

E sot – pa skema, pa pazare, vetëm me punë të ndershme dhe drejtësi ligjore.