Kërkohet paraburgim për 23 persona lidhur me manipulimin e votave në Prizren

Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 23 personave, të dyshuar për përfshirje në manipulimin e rezultateve zgjedhore. Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj, ka bërë të ditur se kërkesat janë dorëzuar veç e veç për secilin të dyshuar. Sipas tij, shumica e rasteve kanë të…

Lajme

24/01/2026 16:35

Gjykata Themelore në Prizren ka pranuar kërkesat për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 23 personave, të dyshuar për përfshirje në manipulimin e rezultateve zgjedhore.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj, ka bërë të ditur se kërkesat janë dorëzuar veç e veç për secilin të dyshuar. Sipas tij, shumica e rasteve kanë të bëjnë me komisionerë zgjedhorë, transmeton lajmi.net.

“Janë gjithsej 23 persona për të cilët janë parashtruar 23 kërkesa të ndara për caktimin e masës së paraburgimit. Deri tani janë mbajtur dy seanca, ndërsa dy të tjera pritet të mbahen në vazhdim”, ka deklaruar Lekaj.

Nga këta, 21 persona, në cilësinë e komisionerëve, dyshohen për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit. Ndërkaq, një komisionere tjetër përballet me dy vepra penale: falsifikim i rezultatit të votimit dhe marrje e ryshfetit.

Po ashtu, për një të dyshuar tjetër, i cili ka vepruar në cilësinë e vëzhguesit, ngarkohen veprat penale kanosje dhe dhënie e ryshfetit.

Rasti lidhet me një aksion të gjerë të Prokurorisë së Prizrenit, në kuadër të të cilit janë arrestuar gjithsej 109 persona, të dyshuar për manipulim të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor.

Si pasojë e parregullsive të shumta të evidentuara gjatë rinumërimit fillestar të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim që të procedojë me rinumërimin e të gjitha vendvotimeve./lajmi.net/