Kërkohen lehtësi fiskale për prodhuesit vendorë

Gjendja e vështirë nëpër të cilën po kalojnë bizneset kosovare duhet të jetë alarm për qeverinë që të rrisë dinamikën e krijimit të një ambienti më të favorshëm afarist në vend. Ky ishte konkludimi i një takimi të mbajtur sot mes drejtuesve të Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka.

Lajme

22/12/2014 16:18

Drejtuesit e dy organizatave më të mëdha të biznesit në vend shprehën shqetësimin e tyre për pozitën e vështirë dhe aspak konkurruese në të cilën ndodhen prodhuesit vendorë. Një gjë e tillë, përpos që pamundëson rritjen e punësimit, ka shkaktuar një deficit tregtar tejet të lartë, duke e shndërruar vendin në eksportues të parasë së gatshme. Duke pasur parasysh këtë, ata i bënë thirrje Ministrisë së Financave që në periudhë sa më të shpejtë të nisë ndryshimet e duhura ligjore për të jetësuar vendimet për krijimin e lehtësirave fiskale, përfshirë këtu edhe pushimet tatimore për investitorët e huaj apo vendor që krijojnë vende të reja të punës.

Drejtuesit e këtyre dy institucioneve, sipas një komunikate, theksuan që një gjë tjetër që hyn në kuadër të përgjegjësive të Ministrisë së Financave, që ka një rëndësi tejet të veçantë për prodhuesit, është zgjerimi i mëtejmë i listës së produkteve të liruara nga detyrimet doganore.

Në këtë drejtim dhe duke u bazuar në premtimet e dhëna deri tani, kërkohet nga Ministria e Financave që krahas përgjegjësive që i jepen nga Ligji për Mallrat e Liruara nga Detyrimet Doganore, të zgjerojnë këtë listë të produkteve me produkte tjera që përdoren si lëndë e parë në prodhim, në mënyrë që të rritet konkurrueshmëria e prodhuesve vendorë.

Në përmbyllje të takimit, drejtuesit e këtyre dy institucioneve i ritheksuan bindjet e tyre për nevojën e një pune të përshpejtuar drejt fuqizimit të sektorit privat, si shtylla kryesore e shoqërisë që duhet të bartë barrën e zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

(Kosovapress)