​Kërkesa e Hotit për lidership të ri në LDK konsiderohet egoiste

Me numrin e votave që Lidhja Demokratike e Kosovës mori në zgjedhjet e 9 shkurtit, është shprehur i pakënaqur ish-kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, i cili kërkoi edhe lidership të ri në këtë parti. Por, ky reagim i Hotit nga njohës politik po vlerësohet si një kërkesë egoiste, e cila e dëmton këtë parti. Njohësi…

Lajme

23/03/2025 14:22

Me numrin e votave që Lidhja Demokratike e Kosovës mori në zgjedhjet e 9 shkurtit, është shprehur i pakënaqur ish-kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti, i cili kërkoi edhe lidership të ri në këtë parti.

Por, ky reagim i Hotit nga njohës politik po vlerësohet si një kërkesë egoiste, e cila e dëmton këtë parti.

Njohësi politik, Arbnor Sadiku beson që kjo pakënaqësi e Hotit është si një lloj hidhërimi me kryetarin, Lumir Abdixhiku sepse nuk i ka përfshirë aq shumë.

Madje, kërkesën e tij për udhëheqësi të re në LDK e konsideron si egoiste.

“Kërkesa egocentrike e Hoti që patjetër duhet të largohet Abdixhiku dhe të vijë unë apo dikush tjetër, mendoj se është shumë egoiste dhe nuk i kontribuon debatit përbrenda LDK-së, por më shumë e dëmton atë parti. Dhe kësisoj unë mendoj se ai është personi më jo kredibil me kërkuar këtë gjë, sepse në vitin 2021 kur ai ka qenë mandatar për kryeministër, LDK ka pas humbjen më të madhe. Dhe nëse e shikojmë në këtë sens siç po kërkon ai, sot me pas llogari ndaj Abdixhiku, ai nuk do të duhej të ishte as pjesë e listës në LDK, sepse ai ka humbur”,theksoi ai.

Politologu Sadiku thotë se nënkryetari i LDK-së, Avdullah Hoti po keqpërdoret nga disa grupe që janë pjesë e LDK-së dhe u atakaun nga reforma që solli lideri i tanishëm.

“Unë mendoj se është më tepër i keqpërdorur prej disa grupeve që janë në LDK ose janë më të atakuar nga kjo reforma që ka bërë kryetari i LDK-së dhe natyrisht që kjo i pengon disa struktura. Por, ai siç u pa është një zë i vetëm sepse askush nga nënkryetarët e partisë dhe kryetarët e LDK-së, nuk e mbështeti dhe kjo më tepër ka qenë si një lloj me dërguar një informatë dhe zë kritik që me pa se a ka mbështetje kjo formë e kritikës ndaj Lumir Abdixhikut. Por, siç u pa është një zë i vetëm ose pothuajse askush nga LDK nuk e mbështeti.. të arrish 18% nuk është rezultat i dobët sa po e potencon Hoti dhe të tjerët, por ata kanë për qëllim egot e veta me i realizuar, sigurisht me ardhur deri te pozita e nënkryetarit të partisë dhe gjërave të tjera”, theksoi Sadiku.

Për Blerim Burjanin, arsyeja e kësaj pakënaqësie të shprehur nga Hoti erdhi nga frika se nuk mund të mbijetojë politikisht me ndryshimet që kanë ndodhur në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

“Problemet janë aty se është orientuar vota në subjekte politike, dhe secili subjekt ka orientuar votën dhe kryesia e partisë apo lideri partiak ka ndikuar dhe iu ka thënë degëve kush të votohet e kush jo. Dhe ky e ka pa që nuk ka më gjasa me mbijetua politikisht në atë ambienti politik që është krijuar në LDK dhe ka kërkuar ndryshime në lidership”, theksoi ai.

Anton Quni nga Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se nuk e kupton reagimin e Avdullah Hoti, pasi siç u shpreh ai këto çështje do të duhej të trajtoheshin brenda shtëpisë.

“Në kryesi është vlerësuar që Lidhja Demokratike e Kosovës përkundër asaj që është partia e tretë në skenën politike, për dallim nga zgjedhjet e kaluara e ka pas një ngritje të konsiderueshme fal punës dhe angazhimit të lidershipit dhe besimit të qytetarëve që kanë treguar për politika dhe programin e LDK-së. Ne konsiderojmë se të gjitha këto çështje do të duhej të trajtoheshin brenda shtëpisë këtë mundësi e ka pas edhe profesor Avdullahu. Nuk e kuptoj arsyen pse këto çështje tani do të duhen të diskutohen në publik”, u shpreh Quni.

Karshi kërkesës së Hotit për lidership të ri në LDK në mbrojtje kryetarit aktual të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i dolën nënkryetari, Lufti Haziri, Duarsa Kica e Gazmend Muhaxhiri.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit Lidhja Demokratike e Kosovës është renditur si partia e tretë me gjithsej 171,357 vota apo 18.27%./