Kërcënimet nga shërbimi sekret serb, Nisma del me komunikatë: Ja si mund ta ndihmojë Dick Marty drejtësinë

Nisma Socialdemokrate ka reaguar me anë të një komunikate për raportimet se ish-senatori zviceran, Dick Marty është kërcënuar nga shërbimet sekrete serbe me vdekje.

Lajme

10/04/2022 12:07

Në këtë komunikatë flitet për akuzat e sajuara të Martyt për trafikim organesh nga UÇK-ja, shkruan lajmi.net.

Nisma në këtë komunikatë thotë se në funksion të dëmtimit të çështjes së pavarësisë së Kosovës, shërbimi sekret serb kishte planifikuar vrasjen e Dick Martyt dhe për këtë t’i fajësonte shqiptarët.

“Një lajm i tillë mund të befasojë ata që nuk e njohin funksionimin e shërbimit sekret serb. Të gjithë njohësit e asaj çfarë ka ndodhur gjatë luftërave në procesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave e dinë fare mirë se Shërbimi Sekret i Serbisë nuk ngurroi të vrasë edhe fëmijë serbë dhe malazes vetëm e vetëm t’u lihet faji shqiptarëve (Rasti në kafenenë “Panda” është vetëm njëri nga rastet e shumta). Prandaj lajmi që Dik Marty është në mbrojtje të lartë policore për shkak që shërbimet serbe kanë dashur ta vrasin me qëllim që t’ua lënë fajin shqiptarëve, konfirmon katërcipërisht se ky shtet nuk ka hequr dorë nga logjika terroriste e funksionimit të tij.”, thuhet në komunikatën e Nismës.

Gjithashtu, në këtë komunikatë thuhet se tërheqja publike e Martyt nga shërbimi që i ka bërë shërbimit sekret serb, është ndihma më e madhe që ai mund t’i japë drejtësisë.

Kjo është komunikata e plotë:

KOMUNIKATË E NISMËS SOCIALDEMOKRATE
Më 24 tetor të vitit 2018, në “TV HAPPY”, ambasadori i Serbisë në Zvicër, Milan St Petriq, rrëfeu për mënyrën se si iu dhanë Dick Martyt provat e sajuara nga shërbimi sekret i Serbisë për të ashtuquajturin trafikim me organet njerëzore nga UÇK-ja.
Sajimi i një akuze të tillë kishte për funksion të dëmtonte imazhin e luftës çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës dhe sidomos rezultatin e kësaj luftë: pavarësinë e shtetit të Kosovës.
Në funksion të dëmtimit të çështjes së pavarësisë së Kosovës, Shërbimi Sekret i Serbisë kishte planifikuar të vriste Dick Martyn dhe për këtë vrasje të fajësonte shqiptarët. Një lajm i tillë mund të befasojë ata që nuk e njohin funksionimin e shërbimit sekret serb. Të gjithë njohësit e asaj çfarë ka ndodhur gjatë luftërave në procesin e shpërbërjes së Federatës Jugosllave e dinë fare mirë se Shërbimi Sekret i Serbisë nuk ngurroi të vrasë edhe fëmijë serbë dhe malazes vetëm e vetëm t’u lihet faji shqiptarëve (Rasti në kafenenë “Panda” është vetëm njëri nga rastet e shumta). Prandaj lajmi që Dik Marty është në mbrojtje të lartë policore për shkak që shërbimet serbe kanë dashur ta vrasin me qëllim që t’ua lënë fajin shqiptarëve, konfirmon katërcipërisht se ky shtet nuk ka hequr dorë nga logjika terroriste e funksionimit të tij.
Prandaj, tërheqja publike e Dick Martyt nga shërbimi që i ka bërë shërbimit sekret serb që ka planifikuar edhe vrasjen e tij, është ndihma më e madhe që ai mund t’i japë drejtësisë. /Lajmi.net/