Kërcënimet e Vuçiqit, ministri Nufi: Ndihemi të sigurt, Shqipëria dhe Kosova të mbrojtura

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi tha se Shqipëria ndihet e sigurt pavarësisht kërcënimeve që mund të vijnë në drejtim të vendit tonë, si në rastin më të fundit nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. “Serbia i mitigon të gjitha rreziqet që i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike.…

Lajme

19/03/2026 15:16

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi tha se Shqipëria ndihet e sigurt pavarësisht kërcënimeve që mund të vijnë në drejtim të vendit tonë, si në rastin më të fundit nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Serbia i mitigon të gjitha rreziqet që i pretendon si të sajat, në përputhje me dokumentet e veta strategjike. Republika e Shqipërisë nga ana e saj, të gjitha politikat e sigurisë i ka në përputhje me aleancën ku bën pjesë, aleancën ushtarake të NATO-s, që është më e forta në botë. E gjithë doktrina dhe përgatitja është në përputhje me NATO-n dhe siguria e qytetarëve shqiptarë, por edhe e Kosovës, për sa kohë kemi atje një forcë të mandatuar si KFOR, është e garantuar gjithashtu nga aleanca ushtarake më e fortë në botë”, tha Nufi.

“Rrjedhimisht shqetësimet që mund të ketë, për Republikën e Shqipërisë përkthehen në një qasje që është në koordinim me aleancën dhe partnerët dhe ne na bën të ndihemi të sigurt për sa kohë që ne përmbushim detyrat që kemi marrë angazhim, në drejtim të aleancës”, shtoi ai.

Në një intervistë për televizionin publik të vendit të tij disa ditë më parë, Vuçiq tha se kishte blerë raketa balistike kineze, si kundërpërgjigje ndaj aleancës ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

“Ajo aleancë ushtarake është e drejtuar drejtpërdrejt kundër Serbisë, nuk ka asnjë arsye tjetër pse u bë ajo aleancë ushtarake”, tha Vuçiq, shkruan A2.