Këndoi frazën “Jam Albini, pushkë me qitë”, Sibel Halimi i reagon Edona Llaloshit
Sibel Halimi, kandidate për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj këngëtares dhe kandidates për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llaloshi, e cila këndoi frazën “Jam Albini, pushkë me qitë” në një tubim, duke e cilësuar atë si provokativ. Në reagimin e saj në rrjetin social, Facebook, Halimi…
Lajme
Sibel Halimi, kandidate për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj këngëtares dhe kandidates për deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Edona Llaloshi, e cila këndoi frazën “Jam Albini, pushkë me qitë” në një tubim, duke e cilësuar atë si provokativ.
Në reagimin e saj në rrjetin social, Facebook, Halimi theksoi se romantizimi i dhunës nuk ka vend në art dhe se arti duhet të jetë një forcë për paqe, jo një mjet për të nxitur dhunën.
Sipas saj, vendit i nevojitet paqja dhe mirëqenia, jo glorifikimi i dhunës përmes muzikës.
Halimi përfundoi duke thënë se kur arti humb këtë busull dhe shndërrohet në propagandë, ai nuk është më art, por një mjet manipulimi.
“Romantizimi i dhunës nuk është art Arti nuk është pushkë, as thirrje për të qëlluar. Arti është ndërgjegje, është pyetje, është dritë që e ndal dorën para dhunës. “Jam Albini, pushkë me qitë”, kujt do t’i drejtohen plumbat, artiste e dashur?! “Pushka” e artistit nuk duhet t’i drejtohet askujt si armë, por padrejtësisë si ide, frikës si sistem, dhe heshtjes si bashkëfajësi. Vendit i duhet paqja dhe mirëqenia, jo romantizimi i dhunës. Artisti ka përgjegjësi të mos bëhet jehonë e instinkteve të errëta, por zë i arsyes, i humanizmit dhe i shpresës. Kur arti humb këtë busull, ai pushon së qeni art dhe shndërrohet në propagandë”, shkroi Halimi.