“Kemi mbetë si zorrë qorre” – tetë fshatra të Kamenicës probleme me rrymë, ndihen të harruar nga komuna që udhëhiqet nga Kadri Rahimi dhe Qeveria Kurti

Banorët e tetë fshatrave të Kamenicës po ndihen të harruar nga Komuna që udhëhiqet nga Kadri Rrahimi dhe Qeveria e Kosovës. Mes shumë problemesh me të cilat përballen, rryma është kryesori. Në fshatin Krilevë, mediumi reporteri ka biseduar me Besim Cakollin, që i përfaqëson këto fshatra. Cakolli thotë se pavarësisht kërkesave që kanë dërguar, asnjëherë…

Lajme

11/09/2025 20:27

Banorët e tetë fshatrave të Kamenicës po ndihen të harruar nga Komuna që udhëhiqet nga Kadri Rrahimi dhe Qeveria e Kosovës. Mes shumë problemesh me të cilat përballen, rryma është kryesori.

Në fshatin Krilevë, mediumi reporteri ka biseduar me Besim Cakollin, që i përfaqëson këto fshatra.

Cakolli thotë se pavarësisht kërkesave që kanë dërguar, asnjëherë s’kanë marrë përgjigje pozitive.

“Kemi probleme shumë këtu nëpër fshatra. Një prej probleme më të mëdha që e kemi për momentin është problemi i këtyre shtëpive që kanë mungesë të rrymës, e kanë rrymën shumë të dobët edhe nuk po munden me i kry punët”, rrëfen Cakolli.

Ai ka përmendur edhe një rast tragjik që i ka ndodhur një banori aty, që e lidh me këtë problem.

“E ka pas gruan me njëfarë sëmundje, e cila u nevojitke me pas rrymë shkaku i oksigjenit. Nuk mujti me ba zgjidhje hic, i blejti në Zvicër aparatat edhe s’mujti me ba zgjidhje dhe për fat të keq i vdiq gruaja”, thotë Cakolli.

Ai thotë se në këto fshatra nuk janë bërë investime, teksa shton se me afrimin e zgjedhjeve lokale kanë nisur të aktivizohen sa për ndonjë votë.

“Jemi të harrum, kemi mbetë si zorrë qorre që thojnë, edhe nga ana e Komunës edhe nga ana e Qeverisë  Ata po thonë ne kemi pru shumë pare, po ne nuk po i shohim…asnjë investim, nashta para zgjedhjeve e shtrojnë ndonjë rrugë sa për ndonjë votë”.