Këmbëngul për marrëveshje në drejtësi

Një ditë para bisedimeve të ndërmjetësuara nga Catherine Ashton, Kryeministri Thaçi ka thënë se shpreson që kjo marrëveshje të arrihet dhe strukturat paralele në fushën e drejtësisë të integrohen brenda sistemit legal të Republikës së Kosovës.

Lajme

11/02/2014 15:56

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nesër në Bruksel, në takimin me homologun e tij serb, Ivica Dacic, do të këmbëngul në arritjen e marrëveshjes për rregullimin e gjyqësorit në pjesën veriore të Kosovës.

Një ditë para raundit të ri të bisedimeve të dnërmjetësuara nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, Kryeministri Thaçi ka thënë se shpreson që kjo marrëveshje të arrihet dhe strukturat paralele në fushën e drejtësisë të integrohen brenda sistemit legal të Republikës së Kosovës.

“Nesër në Bruksel do të takoj homologun tim nga Serbia, me të cilin do të diskutoj për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit, që ndërlidhet me fushën e drejtësisë”.

“Unë do të këmbëngul që të arrihet pajtueshmëri për modalitetet e fillimit të zhbërjes së strukturave ilegale në fushën e drejtësisë dhe integrimin e tyre në sistemin legal të Republikës së Kosovës”.

“Shpresoj në arritjen e një marrëveshje të tillë”, ka shkruar Kryeministri Thaçi në profilin e tij në Facebook.