Këmbanat e alarmit

Rendi është që politika kosovare institucionale të këndellet, dhe të merr vendimet që janë të domosdoshme në ditët e ardhshme.

Lajme

14/02/2019 10:16

 Janë dy fakte, apo dy të vërteta të cilat shquajnë, së bashku, gjendjen më paradoksale në të cilën kemi mbërritë, si politikë, si shoqëri, si shtet.

E vërteta e parë e njohur për decenie me radhë është që shqiptarët e Kosovës janë populli në pro-amerikan në Evropë  (mbase, edhe në Botë), dhe që shteti i Kosovës, që prej ditës së parë të ekzistencës së tij, është shteti më pro-amerikan në këto anë të Rruzullit tokësor.

E vërteta e dytë, e cila për të gjithë ne është e ditur tash e sa javë është që Washingtoni zyrtar si me askë tjetër në rajon, ka probleme serioze në komunikimin me autoritetet qeveritare të Kosovës, në vijim të refuzimit këmbëngulës të Qeverisë sonë për ta përkrahur propozimin amerikan për një pezullim të përkohshëm të taksës ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Të gjitha manovrat verbale dhe politike të cilat janë bërë ditëve të fundit (dhe që mund të bëhen edhe tash e tutje), nuk mund dot ta zhbëjnë këtë paradoks të madh, i cili megjithatë, ka një historik të vetin, ka një gradualitet të zhvillimit të tij, apo, ai ka nisë të bëhet që nga ajo kohë kur vlerësimi dhe qëndrimi zyrtar i SHBA-së, që Marrëveshja për shenjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi është në rregull, nuk mirrej aspak parasyshë nga qarqet e atëhershme opozitare.

Sidoqoftë, mbase askush këndejpari, nuk ka mundur të imagjinojë vetëm pak muaj më parë, që tre zyrtarë të lartë amerikan, që përfaqësojnë State Departmentin, Pentagonin dhe Shtëpinë e Bardhë  (Këshillin e Sigurisë Kombëtare), në një Letër që formalisht do t’ua drejtojnë tre liderëve institucional të Kosovës, por realisht, do t’ia adresojnë shtetit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të tij, do të shkruajnë (pos të tjerash): ‘Kosova nuk ka mik më të mirë se Shtetet e Bashkuara. Ne kemi punuar së bashku për vite të tëra për të ndërtuar të ardhmen për popullin e Kosovës që të jetojë ashtu si ka zgjedhur, në paqe. Është e pabesueshme që pas gjithë asaj që kemi bërë së bashku, Kosova e vlerëson miqësinë tonë kaq ulët, aq sa ta injorojë këshillën tonë’  (për pezullimin e tarifës).

Konstatimi për vlerësimin e ulët të miqësisë së Kosovës me SHBA-në, pa kurfarë dyshimi, është fjalia më e rëndë, më shqetësuese, më alarmuese që ka mundur të iu drejtohet liderëve institucional të këtij vendi, dhe gjithë qytetarëve të tij.

Natyrisht, në këtë politikën kosovare, siç e dimë të gjithë ne, ka shkathtësi të të gjitha llojeve për të mos marrë parasyshë realitetin në vend dhe gjetiu në Botë. Apo, edhe për të bërë shpjegime dhe interpretime të çfarëdollojshme të qëndrimeve politike dhe diplomatike, të cilat mund edhe të bartin në vete atë ‘dykuptimësinë konstruktive’  (si thihet).

Por këtu, në këtë fjali, dhe në gjithë Letrën në fjalë, nuk ka gjë të dykuptimshme, nuk ka gjë të paqartë, nuk ka vend fare për ndonjë interpretim tjetër.

Kjo është një fjali që të gjithë neve duhet të na godet në kokë, në trup, në mendje dhe në emocione.

Kjo Letër në përgjithësi ka rolin e ‘Këmbanave të alarmit’ për gjithë politikën kosovare, për krejt shoqërinë kosovare, për çdo qytetar të këtij vendi.

Dhe e gjithë kjo po ndodhë në javët dhe muajtë kur ne do të kthehemi, në mënyrat e ndryshme, njëzet vjet prapa, në pranverën e vitit 1999-të, kur mbi të gjithë, falë një miqësie të krijuar në kohërat më të vështira në mes nesh dhe Amerikës, ne mbërritëm të shpëtonim si popull, të çliroheshim më pas, dhe më në fund të bëhemi shtet i pavarur.

Edhe në këtë Letër na bëhet e qartë se rrëfimi i Kosovës, për shkaqe të njohura, nuk është rrumbullakësuar ende, sepse tutje nuk kemi e bërë Marrëveshjen me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Por, sërish në mënyrën më të qartë të mundur na tregohet që Washingtoni normalizimin e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë e sheh përmes njohjes reciproke  (në mes të Kosovës dhe Serbisë).

Rendi është që politika kosovare institucionale të këndellet, dhe të merr parasyshë këtë Letër dhe vendimet që janë të pashmangshme dhe të domosdoshme në ditët dhe javët e ardhshme.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)