KEK-u, njofton se prodhimi po tejkalon kërkesën për energji elektrike
Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate ka njoftuar se vazhdon të sigurojë stabilitet energjetik për vendin. Në njoftim thuhet se, gjatë ditëve të para të muajit korrik 2025, prodhimi nga KEK jo vetëm që ka përmbushur, por e ka tejkaluar kërkesën ditore të energjisë elektrike, me një mbulueshmëri që ka arritur deri në 117%,.…

Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate ka njoftuar se vazhdon të sigurojë stabilitet energjetik për vendin.
Në njoftim thuhet se, gjatë ditëve të para të muajit korrik 2025, prodhimi nga KEK jo vetëm që ka përmbushur, por e ka tejkaluar kërkesën ditore të energjisë elektrike, me një mbulueshmëri që ka arritur deri në 117%,.
“Njësitë tona prodhuese, ndonëse të stërvjetëruara dhe me sfida teknike të trashëguara, janë duke operuar me kapacitet të lartë, duke mundësuar mbulim të plotë të konsumit vendor dhe garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe të besueshëm për qytetarët e Kosovës”, ka njoftuar KEK.
Po ashtu, KEK-u ka bërë disa sqarime duke ritheksuar përkushtimin e saj ndaj transparencës, zbatimit të ligjit dhe funksionimit normal të njësive energjetike.
“Faktet flasin vetë: Prodhimi energjetik është i qëndrueshëm dhe tejkalon kërkesën; Njësitë, përfshirë A3, janë në funksion të rregullt dhe kontribuojnë ndjeshëm në sistem; Të gjitha procedurat e prokurimit zhvillohen sipas ligjit, nën mbikëqyrjen e institucioneve kompetente”.
Ndër të tjera, KEK-u thotë se mbetet e hapur për bashkëpunim me publikun dhe institucionet relevante, dhe fton që çdo komunikim të bazohet në fakte të verifikueshme, integritet dhe etikë profesionale.