KEK nën kontroll të Qeverise Kurti i jep tender 2.5 milionë euro kompanisë me ortak kinezë
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka shpërblyer me tender në vlerë mbi 2 milionë euro një konsorcium të përbërë nga kompania ECO CLEAN CORPORATION SH.P.K. dhe kompaninë JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., LTD. Të dy kompanitë kanë lidhje me Kinën. Kontrata është dhënë nga KEK me datë 13.08.2025, për projektin “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova…

Lajme
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka shpërblyer me tender në vlerë mbi 2 milionë euro një konsorcium të përbërë nga kompania ECO CLEAN CORPORATION SH.P.K. dhe kompaninë JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., LTD. Të dy kompanitë kanë lidhje me Kinën.
Kontrata është dhënë nga KEK me datë 13.08.2025, për projektin “Rehabilitimi i kullës ftohëse në TC Kosova B”.
ECO CLEAN CORPORATION SH.P.K, e kompania kineze JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., LTD, fituan kontratën në vlerë prej 2,598,714.00.
Grupi fitues është përzgjedhur ndër katër ofertuesit pjesëmarrës në këtë procedurë prokurimi.
Në njoftimin për kontratë, KEK ka sqaruar se rehabilitimi ishte paraparë të bëhet gjatë vitit 2026.
“Afatet kohore për fillimin dhe ose përfundimin e kontratës Prandaj Autoriteti Kontraktues (AK), në kuadrin e punëve të veta ka paraparë që gjatë vitit 2026, të bëjë rehabilitimin e kullës ftohëse. Projekti po iniciohet në këtë vit, ashtu që të ketë kohë të mjaftueshme për parapërgatitje dhe prodhimin e materialeve të nevojshme për rehabilitim. Koha eventuale ne dispozicion për kryerjen e punës ne terren Total 45 ditë kalendarike të dy njësit B1 dhe B2, do të jenë të ndalura në të njëjtën kohë. Orari i punës prej 6 30 deri me 20 30 ne dy ndërrime pa ndërprerje. Nëse OE konsideron se mund të punohet edhe më gjatë me ndihmën e reflektorëve (ndriçim artificialë) duhet të theksoj ne ofertë dhe të cek këtë orar. Nga ndalesa e tërësishme e dy blloqeve, AK i duhet të ketë ujë në kadë edhe 36 deri 48 ore (pra max 2 ditë) për procesin e ftohjes së turbines”, theksohet në dosje.
Kush janë kompanitë fituese?
Në këtë kompani që KEK e shpërbleu me kontratë, 20 % të aksioneve i mban shtetasja kineze, Wenyun Yang.
Sipas të dhënave në Regjistrin e Bizneseve ajo del që kur u themelua kjo kompani, në gusht 2019, ka investuar 80 mijë euro, derisa 320 mijë euro të tjera i ka investuari shtetasi kosovar, Arbër Gashi që mban 80 % të aksioneve në këtë firmë.
Gazeta Insajderi më parë kishte kontaktuar me kompaninë “ECO CLEAN CORPORATION” Sh.p.k. dhe ortaku i madh në firmë, Arbër Gashi i kishin thënë gazetës se Wenyun Yang është shtetase e Kinës, por me të janë takuar gjatë studimeve në Amerikë.
“Wenyun Yang është investitorë. Atë e kam takuar në Amerikë dhe kemi vendosur që të dertojmë një biznes në Kosovë. Unë nuk po shoh ndonjë problem këtu”, kishte deklaruar Gashi për Insajderin.\
Në anën tjetër edhe kompania tjetër hisedarë në këtë tender është kompani kineze.
JiangXi ARK Science Fluid Technology Co., është një prodhues i njohur në kërkimin dhe zhvillimin dhe prodhimin e pajisjeve të ftohjes së ujit.
Sipas të dhënave në web-faqen e tyre del se produktet e tyre eksportohen jashtë vendit: si Koreja e Jugut, Koreja e Veriut, Kazakistani, Serbia, Vietnami, Tajlanda, Indonezia, Zambia, Rusia dhe Pakistani.
Pra nuk përmenden vendet evropiane.