KE rekomandon dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë
Është publikuar të mërkurën raporti i progresit i Komisionit Evropian për reformat në Shqipëri, ku thuhet se bazuar në gjetjet e këtij raporti, Komisioni rekomandon Këshillin t’i japë Shqipërisë statusin kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Lajme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka njoftuar pak minuta më parë, përmes një postimi në Tëitter se Komisioni Europian i ka rekomanduar vendeve anëtare të Bashkimit Europian një “PO të fortë e pa rezervë për dhënien e statusit të kandidatit për Shqipërinë”.
Rama e ka bërë këtë postim derisa ndodhej në takim me komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Stephan Fule, i cili ka shkuar në Tiranë për të dorëzuar raportin e progresit. Sipas raportit të Komisionit Evropian, numri i rasteve të denoncuara për korrupsionin është rritur 16 për qind krahasuar me një vit më parë.
Gjithashtu, policia ka zhvilluar operacione të suksesshme në luftën ndaj drogës e pastrimit të parave.
Komisioni Evropian (KE) vlerëson se Shqipëria po vazhdon t’i zbatojë masat e kërkuara nga Bashkimi Evropian (BE) për marrjen e statusit, por duhet të përparojë në reformën e sistemit gjyqësor në bashkëpunim me Komisionin e Venecias.
KE-ja shton po ashtu se procesi i reformave duhet të konsolidohet nga dialogu qeveri-opozitë.
Në lidhje me statusin e nënpunësit civil, KE-ja mendon se ai u adoptua në kohë, por ristrukturimet krijuan tension politik.
“Qeveria ngriu rekrutimet deri në korrik që ligji i nënpunësit të zbatohet”, thuhet në raport, njofton Top Channel.
KE vlerëson se në Parlamentin shqiptar ka ende kundërshti për procedurat e zgjedhjeve në institucione dhe se procedurat e zgjedhjeve në parlament me shumicë të thjeshtë, mbeten shqetësuese.
Aktualisht ka nisur raundi i tretë i dialogut Shqipëri-BE dhe komisioneri për Zgjerimin, në fjalën përshëndetëse para nisjes së këtij raundi, tha se do të diskutohet “mbi rekomandimet dhe atë që ka bërë qeveria shqiptare për zbatimin e këtyre rekomandimeve”.
Burime jozyrtare citojnë komisionerin Fule që vlerëson punën e policisë shqiptare, por në të njëjtën kohë ka kërkuar forcimin e masave kundër gjykatësve të inkriminuar.
Gjatë ditës pritet që komisioneri Fyle dhe kryeministri Rama të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.