KDI: Pa mobilizim të përgjithshëm, nuk ka luftë kundër korrupsionit

11:45 | 9 Dhjetor 2021

Sot, më 9 dhjetor, njerëzimi shënon për herë të dytë Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19. Njerëzit anembanë globit po luftojnë pandeminë dhe njëkohësisht po punojnë në zbutjen e ndikimit të tij socio-ekonomik. Shumë prej nesh vazhdojmë të shqetësohemi se si do të duket bota pasi të zhduket pandemia.

Në këtë datë, para 16 viteve, Konventa e OKB-së Kundër Korrupsionit u bëri thirrje shteteve nënshkruese që të forcojnë masat parandaluese kundër korrupsonit, të përfshijnë veprat korruptive në kodet e tyre penale, të thellojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në parandalimin dhe ndjekjen e korrupsionit, të fuqizojnë asistencën teknike dhe shkëmbimin e informacionit mes shteteve si dhe të ndërtojnë mekanizma zbatues. Kjo konventë edhe sot e kësaj dite mbetet i vetmi mekanizëm ligjor ndërkombëtar i nënshkruar nga 187 palë (duke përfshirë edhe 181 vende anëtare të OKB-së).Korrupsioni prek të gjitha fushat e shoqërisë duke ua vjedhur të ardhmen gjeneratave të reja dhe duke  ua bërë edhe më të vështirë jetën kategorive më të cenueshme të shoqërisë. Parandalimi dhe çrrënjosja e këtij fenomeni negativ hap rrugën drejt përmbushjes së objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, krijon vende të reja pune, mundëson barazinë gjinore, ndihmon mbrojtjen e ambientit tonë dhe siguron qasje të barabartë në shërbimet elementare si kujdesi shëndetësor dhe arsimi cilësor.Sot, kur po përmbyllim edhe të një viti me pandemi, gjatë të cilave shumë shtete vazhduan masat shtrënguese me qëllim të mbajtjes nën kontroll të emergjencës shëndetësore dhe shmangies së kolapsit ekonomik, për qytetarët po bëhet gjithnjë e më e qartë se aktivitetet e dëmshme dhe keqpërdorimi i pozitave zyrtare po shkaktojnë humbje të resurseve aq të vlefshme në një kohë kur janë më se të nevojshme për t’iu përgjigjur dhe rikuperuar nga kriza e COVID-19.Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit 2021 synon të nxjerrë në pah të drejtat dhe përgjegjësitë e të gjithëve në trajtimin e korrupsionit: shtetet nënshkruese, zyrtarët qeveritarë, nëpunësit civilë, organet e zbatimit të ligjit, përfaqësuesit e medias, sektori privat, shoqëria civile, akademia, publiku dhe të rinjtë.Pra, nuk duhet vetëm shtetet dhe organet e tyre të bashkohen dhe të ballafaqohet me këtë problem global. Çdo qytetar, i çfarëdo moshe dhe gjinie – ka një rol për të luajtur për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, në mënyrë që të promovojë qëndrueshmërinë karshi këtij fenomeni dhe integritetin në të gjitha poret e shoqërisë.KDI ka vazhduar edhe sivjet të monitorojë procesin e prokurimit publik, me fokus në sektorin e shëndetësisë, për të siguruar që blerjet dhe shërbimet gjatë emergjencës shëndetësore të jenë transparente, në përputhje me ekonominë e tregut të lirë dhe konform nevojave të qytetarëve.KDI ka vazhduar me ofrimin e ndihmës juridike falas për viktimat e korrupsionit, dëshmitarët dhe sinjalizuesit e veprave korruptive. Shumë punëtorë të cilët kishin humbur vendet e punës gjatë pandemisë apo nuk kishin realizuar të drejtën e pagesës nga pakoja emergjente kanë kërkuar ndihmë ligjore.

  1. Në këtë ditë përshëndesim miratimin e Strategjisë pë sundimin e ligjit 2021 – 2026, pjesë e së cilës është edhe lufta kundër korrupsionit, por përsërisim shqetësimin tonë për mungesën e një Strategjie Kombëtare Kundër-Korrupsion, nga e cila do të dilnin veprime dhe përgjegjësi konkrete për të gjitha institucionet e thirrura për të luftuar korrupsionin.
  2. Kërkojmë nga institucionet vendore që, në vend se të drejtojnë gishtin nga njëra-tjetra në kërkim të fajtorit për mungesë të sundimit të ligjit dhe nivelin e lartë të korrupsionit, të bëhen bashkë në një front të vetëm në luftë kundër korrupsionit.
  3. Qytetarët i thërrasim të jenë më kërkues për rezultate dhe të mos heshtin ndaj keqpërdorimeve, nepotizmit dhe keqmenaxhimit të resurseve publike.
  4. Qeverisë i themi t’i procedojë të gjithë pakon e ligjeve kundër-korrupsion dhe t’a bëjë qytetarin hisedarë të këtyre ligjeve
  5. Kuvendit I kërkojmë të t’a ketë prioritet mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve kundërkorrupsion
  6. Subjekteve Politike u kërkojmë të jenë transparente dhe llogaridhënëse në raport me financimin dhe shpenzimet e tyre. Vetëm duke përqafuar vlerat e qeverisjes së mirë brenda subjektit, do të mund t’a ndërrojmë kulturën qeverisëse.
  7. Institucioneve të drejtësisë u kërkojmë që të ngrisin efikasitetin e punës dhe cilësinë e shërbime sepse vetëm duke rezultatet e kthejnë besimin në institucione.

Konventa e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit thekson përgjegjësinë e qeverive për të vendosur një mbrojtje efektive nga sinjalizuesit për të siguruar që personat që flasin të mbrohen nga hakmarrja. Këto masa i kontribuojnë institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe transparente drejt një kulture integriteti dhe drejtësie.Ne, në Transparency International, duam një botë ku mbizotëron e mira e përbashkët dhe ku pushteti mbahet i përgjegjshëm, dhe kjo është ajo për të cilën luftojmë.Viti 2021 duhej të ishte një vit historik për antikorrupsionin, por Sesioni i Veçantë i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së kundër korrupsionit i mbajtur në qershor nuk i përmbushi pritjet tona. Qeveritë injoruan thirrjet e shoqërisë civile për të trajtuar rastet e mëdhe të korrupsionit deri në atë masë sa refuzuan ta pranonin atë. Korrupsioni i madh është lloji i korrupsionit të nivelit të lartë që rezulton në vjedhje në shkallë të gjerë të fondeve dhe resurseve publike.Këto çështje të ndërlidhura do të jenë në qendër të vëmendjes edhe gjatë Samitit për Demokraci të kësaj jave, të thirrur nga Presidenti i SHBA Joe Biden. Udhëheqësit e më shumë se 100 vendeve pritet t’i bashkohen atij për të nisur një “vit përplot veprime” për të trajtuar bashkërisht korrupsionin, autoritarizmin dhe abuzimin e përhapur të të drejtave të njeriut.Demokracitë kanë nevojë për veprime të vendosura, shumëpalëshe për t’i mbijetuar kësaj pandemie. Ne nuk mund të lejojmë që Samiti për Demokraci të jetë edhe një takim ku liderët mbajnë fjalime ambicioze, por nuk arrijnë të angazhohen plotësisht në zbatimin e premtimeve të tyre.