KDI ndan çmimet për pesë videot më të mira të garës “Kërko llogari”

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka bërë sot ndarjen e çmimeve për pesë videot më të mira nga videogara “Kërko llogari”.

Lajme

22/03/2017 19:02

Kjo garë u organizua në kuadër të projektit të KDI-së “Fuqizimi i votuesve të rinj për të marrë vendime duke qenë të informuar, dhe duke i ndihmuar ata që t’i mbajnë politikanët llogaridhënës”, i mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë, njofton KDI.

Në garë ishin gjithsej 27 video dhe juria në përbërje prej përfaqësuesve të KDI-së dhe Ambasadës Britanike kanë zgjedhur pesë videot më të mira të cilat janë shpërblyer me çmimet në vijim:

Agnesa Jashari – Gjilan

Paris Guri – Ferizaj

Erza Kurti – Prishtinë

Çlirimtar Morina – Malishevë

Anila Mustafa – Prishtinë

Me këtë rast, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairí O’Connell, ka thënë: “Si votoj unë në Britani? Para zgjedhjeve unë mendoj: Filozofia e cilës parti përshtatet me filozofinë time? A i besoj unë premtimeve të tyre apo mendoj që ato janë qesharake? Kur ishin në pozitë, a bënë atë që premtuan që do të bënin? A mendoj që janë të gatshëm të kryejnë punën që kërkohet nga ta? Por më e rëndësishmja, unë kurrë nuk do të votoja për një parti e cila ka përkrahur kriminelët ose ka përfshirë kriminelët në listat e tyre”.

Ndërkaq drejtori Ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka folur rreth projektit për llogaridhënie dhe aktiviteteve të zhvilluara në kuadër të tij me qëllim të fuqizimit të votuesve të rinj.

“Përmes aktiviteteve të këtij projekti për herë të parë studentët dhe të zgjedhurit e tyre janë ballafaquar drejtpërdrejtë, kanë njohur më mirë njëri tjetrin, kanë komunikuar dhe kësisoj kemi tentuar që në mesin e të rinjve të instalojmë një kulturë të re të mbajtjes së politikanëve përgjegjës për premtimet dhe veprimet e tyre. E sa i përket videogarës unë mund të them se artikulimi i të rinjve për 15 sekonda gjatë videove është më kreativ se sa i kryetarëve të komunave prej nga vinë këta të rinj”, ka thënë ndër të tjera Kryeziu.