KDI: Konfiskimi civil i pasurisë së pajustifikueshme mbështet luftën kundër-korrupsion

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar miratimin në parim të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mekanizmave për luftimin e korrupsionit në vend. Sipas KDI-së, më një kontekst ku, ndër vite, konfiskimi penal i pasurisë së paligjshme ka qenë tejet…

Lajme

17/04/2026 16:29

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka vlerësuar miratimin në parim të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mekanizmave për luftimin e korrupsionit në vend.

Sipas KDI-së, më një kontekst ku, ndër vite, konfiskimi penal i pasurisë së paligjshme ka qenë tejet i kufizuar dhe joefektiv në Kosovë, krijimi i një mekanizmi funksional ku pasuria e pajustifikueshme mund të konfiskohet edhe përmes procedurës civile, përbën një zhvillim të rëndësishëm.

“Një qasje e tillë, e ndërtuar mbi baza të qarta dhe të qëndrueshme ligjore dhe kushtetuese, mund të shërbejë si instrument kyç për trajtimin efektiv të pasurisë së pajustifikueshme dhe për forcimin e besimit në sundimin e ligjit.

Megjithatë, rëndësia e këtij projektligji lidhet drejtpërdrejt me përmbajtjen që do të marrë gjatë shqyrtimit në Kuvend. Duke pasur parasysh se kjo nismë ka kaluar nëpër një proces disa vjeçar të trajtimit, të shoqëruar me ndërhyrje dhe rikthime pas vlerësimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Komisionit të Venecias, kjo periudhë duhet të përdoret për të trajtuar në mënyrë të plotë çështjet që derivojnë nga këto procese dhe për të reflektuar rekomandimet përkatëse, në mënyrë që versioni përfundimtar të jetë i qartë, i zbatueshëm dhe në përputhje me garancitë kushtetuese”, thonë nga ky Institut.

Poashtu, theksohet se në këtë fazë, Kuvendi ka përgjegjësinë kyçe që shqyrtimi i mëtejmë i projektligjit të trajtohet përmes si një procesi të mirëfilltë ligjvënës, për t’i dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme shqyrtimit përmbajtësor të tij.

“Kjo nënkupton trajtimin adekuat të amendamenteve eventuale, qasje të hapur ndaj ekspertizës profesionale dhe një debat konstruktiv që mundëson adresimin në kohë të çështjeve që mund të kthehen në pengesë në hyrjen në fuqi apo zbatimin e ligjit”.

“KDI mbetet e gatshme të kontribuojë në këtë proces përmes ofrimit të ekspertizës dhe mbështetjes për organizimin e diskutimeve gjithëpërfshirëse, me qëllim që ky ligj të shndërrohet në një instrument efektiv dhe të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje partive politike që gjatë kësaj faze të zhvillojnë diskutime me palët që preken drejtpërdrejt nga ky ligj, si dhe me qytetarët, me qëllim rritjen e kuptueshmërisë së tyre mbi përmbajtjen e ligjit”.