Kavajë, shpëtuan fëmijën e tyre, mbytet çifti në plazh
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në plazhin e Qerretit në Kavajë. Burrë e grua janë mbytur në plazh në tentativë për të shpëtuar fëmijën e tyre.
Lajme
Viktimat janë Sinan dhe Jeta Shala, rreth 30 vjeç, raporton Balkanëeb.
Ngjarja u shënua sot ndërsa familja Shala, banorë të fshatit Qerret, ndodhej në plazh për t’u freskuar në këto ditë të nxehta gushti.
Policia e Kavajës, njofton se rreth orës 18:00, fëmija 6 vjeç i çiftit Shala kishte hyrë në det për tu larë, por, dallgët e kanë rrëmbyer. Kanë qenë prindërit, burrë e grua të moshës rreth 30 vjeç që kanë rendur njëri pas tjetrit me shpejtësi për ta shpëtuar. Dëshmitarë në vendngjarje pohojnë se prindërit kanë mundur të shpëtojnë vogëlushin, por jo veten.
Të dy janë përpirë nga dallgët ndërsa pushues në zonën e plazhit të Qerretit kanë marrë fëmijën dhe e kanë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit. Mjekët bëjnë me dije se fëmija është futur në oksigjen për ta ndihmuar për frymëmarrjen.
Trupat e prindërve u nxorën nga uji dhe u dërguan në morg.
Mësohet se deti ditën e sotme ka qenë i trazuar me dallgë të forta, kjo për shkak të erës që ka fryrë në zonën e plazhit.