Katër parti mbështesin protestën e 7 gushtit për çlirimtarët – LVV e LDK ende pa qëndrim
Katër parti– PDK, AAK, NISMA Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate – kanë dalë me përkrahje të plotë për protestën që do të mbahet më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së. Kjo protestë po organizohet në shenjë kundërshtimi ndaj padrejtësive që, sipas organizatorëve,…

Lajme
Katër parti– PDK, AAK, NISMA Socialdemokrate dhe Partia Socialdemokrate – kanë dalë me përkrahje të plotë për protestën që do të mbahet më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, e thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Kjo protestë po organizohet në shenjë kundërshtimi ndaj padrejtësive që, sipas organizatorëve, po u bëhen ish-krerëve të UÇK-së, të cilët po mbahen tash e gati 5 vjet në paraburgim në Hagë, pa një vendim përfundimtar nga Gjykata Speciale, transmeton lajmi.net
Ndërkohë, LVV dhe LDK ende nuk kanë marrë qëndrim publik për këtë protestë.
PDK: Memli Krasniqi fton qytetarët të bashkohen me protestën
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur mbështetje të qartë për protestën, duke kritikuar zvarritjen e procesit në Hagë dhe duke theksuar se lufta për liri ka qenë e drejtë.
Postimi i plotë i Memli Krasniqit:
“Prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara, ende pa një vendim përfundimtar.
Zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë, të cilat kanë ndodhur nga kjo gjykatë, kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë.
Këto shqetësime janë thelluar edhe më tej pas raportimeve të fundit se kjo gjykatë po mbështetet në prova të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë.
Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë në mbështetje të luftës për liri dhe të së drejtës për një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për çlirimtarët tanë.
Në këtë frymë, mbështesim protestën e ftuar nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, si një shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve.
Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu”.
Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën.”
AAK: Ramush Haradinaj – Protesta, mbështetje për kërkesa të drejta
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se protesta është në mbështetje të kërkesave legjitime të veteranëve të luftës.
Postimi i plotë i Ramush Haradinajt:
“Në mbështetje të protestës së thirrur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, në kërkesat e tyre legjitime dhe të drejta.
Qëndrojmë gjithmonë në të drejtën e luftës, në të drejtën e luftëtarëve dhe në të drejtën e popullit.
Këto janë themelet mbi të cilat është ndërtuar liria jonë dhe që nuk lëkunden kurrë.”
NISMA: Fatmir Limaj – Mbështetje për organizatat e dala nga lufta
Fatmir Limaj, kryetar i NISMA Socialdemokrate, thotë se protesta është në funksion të ruajtjes së dinjitetit të luftës çlirimtare.
Postimi i plotë i Fatmir Limajt (31 korrik):
“Në emrin tim dhe të NISMA Socialdemokrate, shprehim përkrahjen e plotë për protestën e organizuar nga kategoritë e dala nga lufta!
NISMA Socialdemokrate qëndron fuqishëm në mbështetje të kësaj proteste, duke u rreshtuar krah për krah me organizatat që përfaqësojnë ata që kontribuan në luftën çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ne besojmë se e drejta është në anën tonë dhe se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, çlirimtare dhe thellësisht e drejtë.
NISMA do të jetë gjithmonë në mbështetje të përpjekjeve që synojnë ruajtjen e vlerave të luftës, si dhe dinjitetin e të gjithë atyre që dhanë kontribut për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.”
PSD: Dardan Molliqaj – Qëndrim i qartë kundër Gjykatës Speciale
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, thotë se protesta është një kauzë që shkon përtej çdo kalkulimi politik dhe se drejtësia e vërtetë është zhbërja e Gjykatës Speciale.
Postimi i plotë i Dardan Molliqajt (29 korrik):
“Partia Socialdemokrate mbështet protestën e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër Gjykatës Speciale.
Besnikëria e pakusht ndaj historisë së luftës çlirimtare është nga sprovat më të rëndësishme të gjeneratës tonë. Prandaj kjo është kauzë përtej çdo llogarie. Prandaj nuk duhet të kursehemi.
Për ne kuptimi i drejtësisë është zhbërja e kësaj gjykate. Për ta gjykuar UÇK-në, së pari duhet ta dyshojmë. Asnjë lloj verdikti që e supozon UÇK-në si të fajshme nuk sjellë drejtësi, pavarësisht përmbajtjes përfundimtare të tij. Sepse UÇK nuk mund të gjykohet. Ajo është kushti dhe mundësia për të pasur drejtësi në të ardhmen.”/lajmi.net/