“Katër armë zjarri, municion, medikamente, pajisje elektronike…” – Çka gjeti Policia në pronat e Arianit Sllamnikut?
Policia e Kosovës ka dal me komunikatë në lidhje me arrestimin e Arianit Sllamnikut, i cili pretendonte se e “shëron autizmin me barna të kafshëve”. Arrestimi i tij erdhi pas stories së lajmi.net. Në komunikatën e lëshuar, Policia tregon se në pronat e Sllamnikut janë gjetur katër armë zjarri, municion e medikamente të ndryshme, transmeton…
Lajme
Policia e Kosovës ka dal me komunikatë në lidhje me arrestimin e Arianit Sllamnikut, i cili pretendonte se e “shëron autizmin me barna të kafshëve”. Arrestimi i tij erdhi pas stories së lajmi.net.
Në komunikatën e lëshuar, Policia tregon se në pronat e Sllamnikut janë gjetur katër armë zjarri, municion e medikamente të ndryshme, transmeton lajmi.net.

Komunikata e plotë:
Pas publikimit në mediat elektronike për veprimtari të dyshuar mjekësore, Policia e Kosovës konkretisht Sektori Rajonal i hetimeve DRP Gjilan, në bashkëpunim me institucionet dhe njësitë tjera relevante, bazuar në autorizimin e Prokurorit të Shtetit, më datë 20.01.2026 ka ndërmarrë veprime fillestare hetimore ndaj të dyshuarit A.S., (1978) M/K nën dyshimin se i njëjti në mënyrë të kundërligjshme ka ushtruar veprimtari mjekësore përkatësisht ka kryer veprat penale: Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, dhe eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave të sanksionuara me KPRK.
Me qëllim të gjetjes dhe mbledhjes së provave, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Gjilan, është ushtruar kontroll në pronat e të dyshuarit, ku prezent kanë qenë edhe inspektorët përkatës nga Ministria e Shëndetësisë të cilët kanë asistuar hetuesit policorë për sa i përket medikamenteve farmaceutike.
Gjate kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar ;
Dy armë zjarri të gjata (me leje përkatëse),
Dy armë zjarri te shkurtra (me leje përkatëse),
Sasi e municionit dhe disa karikatorë të armëve,
Medikamente të ndryshme,
Libra protokolli si dhe,
Pajisje elektronike (shtëpizë kompjuteri, telefon, microçipa)etj.
I dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Çka raportoi lajmi.net?
Një hulumtim i realizuar prej kohësh nga gazetarët e lajmi.net nxori në pah një situatë tejet shqetësuese të krijuar në mes shumë prindërve dhe një personazhi në Gjilan.
Bëhet fjalë për Arianit Sllamnikun, i cili në shumë raste bënte deklarata të çuditshme që sipas tij shëron problemet shëndetësore, e në mesin e tyre edhe ato që lidhen me pjesën neurologjike tek fëmijët.
Edhe pse mjekësia e shkenca në botë thotë se të prekurit me spektrin e autizmit duhet trajtuar dhe se s’ka shërim, Sllamniku deklaron se “ai shëron autizmin”.
E krejt kjo situatë u bë edhe më e rëndë kur në fakt doli se Sllamniku përdorë terapi apo thënë qartë barëra të kafshëve, në drejtim të pacientëve.
Ai në fakt u shkruan raportet me këto barna, e me përbërje të tjera- që më pas të njëjtit t’i përdorin ato e të nxjerrin jashtë “parazitët”.
Pas këtyre raportimeve, ka reaguar dje edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila ka shprehur shqetësimin e saj dhe ka bërë thirrje që qytetarët të besojnë vetëm në metoda të verifikuara shkencërisht, të ofruara nga institucione dhe profesionistë të licencuar shëndetësorë.
Ministria ka njoftuar se ka informuar institucionet kompetente dhe është në koordinim me Policinë e Kosovës për trajtimin e rastit.
Përveç ministrisë së Shëndetësisë, për rastin e Sllamnikut janë aktivizuar edhe institucionet e Drejtësisë në vend.
Mbi cilat nene po akuzohet Arianit Sllamniku dhe sa vjet burg i rrezikon?
Neni 256 Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike
1. Kushdo që pa pasur kualifikimet profesionale apo autorizimet ligjore, kryen trajtime mjekësore, shërbime farmaceutike ose angazhohet në aktivitete tjera mjekësore për të cilat me ligj kërkohen kualifikime të posaçme, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një (1) vit.
2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me lëndim të rëndë trupor ose me dëmtim të rëndë të shëndetit të personit, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. 3. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej një (1) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
Neni 257 Eksperimentet e kundërligjshme mjekësore dhe testimi i barërave
1. Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen eksperimente mjekësore, eksperimente të klonimit të njeriut apo eksperimente të ngjashme në njerëz, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në pesë (5) vjet. 2. Kushdo që pa autorizim ose në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm kryen testime klinike të barërave, dënohet me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet. GAZETA ZYRTARE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS / Nr. 2 / 14 JANAR 2019, PRISHTINË./lajmi.net/