Katari e rrezikon organizimin e Botërorit
Katari e rrezikon seriozisht organizimin e Botërorit 2022. Në rast se FIFA gjen parregullsi, si blerja e votave, drejtuesit e saj mund ta anulojnë vendimin dhe të shkohet në rivotime.

Sport
Kampionati Botëror i vitit 2022 mund të mos mbahet në Katar. Kjo pasi Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) është duke e hetuar procedurën e votimeve, pasi dyshon se Katari i ka blerë votat, kur e fitoi të drejtën e organizimit të Botërorit, duke i mposhtur SHBA-të, Korenë Jugore, Japoninë dhe Australinë.
Zëvendës presidenti i FIFA-s, Jim Boyce i ka lënë të hapura dyert që organizimi i Botërorit 2022 t’i hiqet Katarit.
“Si anëtar i Komitetit Ekzekutiv aktual të FIFA-s, mendoj se çdo provë që zbulohet për njerëzit e përfshirë në korruptimin e votave, do t’i dërgohet si provë Michael Garcias, të cilit FIFA ia ka dhënë autorizimin e plotë, ndërsa më pas do ta presim raportin që vjen prapa nga Garcia”, deklaroi Boyce për “BBC Radio 5”.
“Nëse raporti i Garcias vjen me rekomandimet se kanë ndodhur parregullsi gjatë votave për organizimin e Botërorit 2022, unë sigurisht si anëtar i Komitetit, nuk do ta kisha absolutisht problem nëse rekomandohet rivotimi për Botëror”, vazhdoi ai.
– “Nëse Garcia jen me një evidencë konkrete dhe ia dorëzon atë Komitetit Ekzekutiv, FIFA do ta shqyrtojë atë seriozisht në atë kohë, nuk ka dyshim”, përfundoi Boyes.