Kastrati: Kemi menduar se donacionet do ndalen pas koronavirusit, ka ndodhur e kundërta

Humanisti i njohur, Halil Kastrati në një intervistë të dhënë për lajmi.net ka rrëfyer për aksionet humanitare të ndërmarra nga organizata e tij “Jetimat e Ballkanit” gjatë periudhës së koronavirusit në Kosovë.

Lajme

15/04/2020 20:32

Kastrati ka thënë se në fillim të shfaqjes së pandemisë, ka qenë aktive frika se mund të ketë ulje të numrit të donacioneve, mirëpo që fatmirësisht ka ndodhur e kundërta, shkruan lajmi.net.

“Në fillim ka qenë një panikë edhe tek ne, mirëpo e kemi marrë veten shumë shpejtë. Falë zotit jemi angazhuar me staf dhe aktivistë, dhe sot thuajse në të gjitha komunat kemi ndihmuar”, ka thënë Kastrati.

“Ne kemi pas një panikë, ne kemi menduar që nga kjo pandemi është prekur i pasuri dhe i varfëri. Ne kemi menduar që donacionet do të ndalen, por për fat të mirë donacionet janë rrit”, shtoi ai.

Kastrati tutje ka thënë se në rastin e ndërtimit të shtëpive, komunat zakonisht participojnë me nga 5 mijë euro për familje, teksa pjesë tjetër mbulohet nga shoqata e tij.

Ndërkaq, sa i përket pakove ushqimore, Kastrati thotë se ato mbulohen tërësisht nga “Jetimat e Ballkanit”, nga ku më pas të njëjtat dërgohen nëpër komuna ku fillon edhe shpërndarja e tyre.

“Ne kemi kërkuar nga komunat që ndihmat tona të shkojnë tek to. Ne kemi memorandume bashkëpunimi në bashkëfinancim me komunat në Kosovë. Janë një numër i madh i komunave që kanë participu, për një familje me shumën prej 5 mijë eurosh, teksa pjesa tjetër nga Jetimat e Ballkanit. Teksa pakot ushqimore ne vetëm ua dërgojmë atyre, dhe ata me shtabet emergjente ua dërgojnë familjeve”, ka thënë tutje Kastrati.

Kastrati thotë se donatorët më të mëdhenj të organizatës së tij janë mërgimtarët, mirëpo edhe bizneset brenda territorit të Kosovës.

“Kontributin më të madh tek ne e japin shqiptarët kudo që janë. Deri para dy vitesh kisha thanë 50:50 nga bizneset brenda dhe mërgata. Tani mund të them 60 deri në 65 për qind mërgata, dhe pjesa tjetër nga brenda”, ka thënë në fund Kastrati.

Ai po ashtu bëri të ditur që aksionet nga “Jetimat e Ballkanit” do të vazhdojnë edhe gjatë këtyre ditëve, teksa kanë mbetur edhe pak komuna deri në mbulimin e të gjithë territorit të Kosovës me ndihma.

Gjithsesi, ai bëri të ditur se  komunat që kanë nevojë, do të ndihmohen edhe për herën e dytë. /Lajmi.net/

INTERVISTA E PLOTË:

YouTube player