Kastrati: FSK shndërrohet në FAK, fillim të vitit 2015

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) brenda tre muajve të vitit të ardhshëm do të shndërrohet në Forcën e Armatosur të Kosovës (FAK), ku më pas do ti hapet rruga për tu bërë pjesë e Forcave Paqeruajtëse të NATO-së, ka thënë komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati.

Lajme

25/12/2014 13:47

FSK vazhdon të mbetet njëri ndër institucionet më të besuar nga qytetarët e Kosovës dhe sipas Kastratit mes të arriturave të tjera, për shkak të të cilave ka fituar besimin e qytetarëve, janë edhe disa trajnime të shkollimeve dhe ushtrimeve të ndryshme, për të cilat kanë ndihmuar edhe 114 ekspertë nga SHBA-të, Europa dhe shtete tjera të NATO-s.

Duke folur për procesin e shndërrimit të FSK-së në FAK, Kastrati në një intervistë për KosovaPress, ka thënë se të gjitha rekomandimet i kanë dërguar në Qeverinë e Kosovës dhe se presin që në fillim të vitit 2015 Kosova të bëhet me ushtri.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet për dy vite, i kemi të gjitha planet të miratuara, kemi rekomandime që kanë dalë nga rishikimi strategjik i sektorit të sigurisë, janë përcjellë në Qeveri dhe unë pres që legjislatura e re ne afatin prioritar, besoj që tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, do të kalojnë edhe këto pengesa që janë para nesh – ndërrimi i Kushtetues, për arsye që duhet të ndërrohet misioni i Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura edhe emri” .

“Unë pres që posa të kryhen këto pengesa ne jemi të gatshëm që menjëherë të fillojmë me implementimin e rekomandimeve dhe implementimin e planeve tona afatgjata zhvillimore”, tha Kastrati.

Ai ka shtuar se ky hap më pas do të mundësonte që FSK të merrte pjesë në operacionet paqeruajtëse të NATO-së. Sipas tij, një gjë e tillë, përveç dëshirës, është edhe mundësi reale.

“Kjo nuk është dëshirë e jona e parealizueshme, por është dëshirë reale që ne si Forcë e Sigurisë së Kosovës jemi të gatshëm dhe kemi bërë shumë kërkesa në drejtime të ndryshme që FSK të mundet të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse, operacionet humanitare e të tjera operacione të udhëhequra nga NATO, Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian”.

“Mirëpo, duke pasur parasysh që katër shtete të NATO-s nuk e kanë njohur Kosovën akoma i kemi disa vështirësi, por unë besoj që shumë shpejt do të tejkalohen”.

I pyetur se sa janë gjasat që në vitin që po hyjmë, kjo forcë të blejë armatime të rënda, Kastrati u shpreh se janë duke bërë gjithë përgatitjet, por jo vetëm për çështje të armatimit, por edhe për legjislacion, trajnime dhe infrastrukturë.

(KosovaPress)