Kaos e Elvana Gjata sjellin këngën e re

Ndonëse kanë pasur një vit të përmbushur me krijime të shumta artistike, djemtë e grupit të njohur ‘Kaos’ nuk e kanë ndërmend të pushojnë. Ata me fillimvit i janë përveshur punës që të vijnë me risi për publikun tyre. Këtë e ka bërë të ditur Lum Berisha anëtar i grupit, ndërsa për Tribuna ka shpalosur…

ShowBiz

08/01/2014 14:30

Ndonëse kanë pasur një vit të përmbushur me krijime të shumta artistike, djemtë e grupit të njohur ‘Kaos’ nuk e kanë ndërmend të pushojnë.

Ata me fillimvit i janë përveshur punës që të vijnë me risi për publikun tyre. Këtë e ka bërë të ditur Lum Berisha anëtar i grupit, ndërsa për Tribuna ka shpalosur se projekti i ri i tyre do të jetë në bashkëpunim me këngëtaren Elvana Gjata.

“Jemi në pritje të publikimit të këngës më të re e cila është në bashkëpunim me Elvana Gjatën. Kënga titullohet ‘Disco disco’, një këngë e bukur e cila shpresoj që do të mirëpritet edhe nga publiku”, ka thënë Lumi në fillim të bisedës.

Ndërsa ka treguar pak detaje rreth këngës së re, Lumi ka theksuar se lansimi i këtij projekti do të bëhet së shpejti. “Puna jonë ka përfunduar, ne kemi përfunduar me inçizim e me xhirime. Tani vetëm pritet edhe puna teknike dhe të lansohet kënga. Por, nuk e di saktësisht kur do të jetë në duart e publikut, ndoshta brenda janarit apo në fillim të shkurtit”, ka treguar rep artisti më tej.

Por, kjo nuk është risia e vetme që ‘Kaos’ po përgatit për publik. Lumi ka thënë që pas këtij bashkëpunimi, ai dhe partneri i tij në grup, Vigani do ta lansojnë edhe një këngë tjetër për të cilën janë në proces të punës.

“Shumë shpejt do ta nisim punën edhe në një këngë tjetër të re e cila do të jetë vetëm nga Kaos, jo në bashkëpunim. Jemi në procedurë të punës edhe për këtë këngë. E për të tjerat nuk po tregoj. Kryesore 2014’shi do të jetë plot risi nga Kaos”, vijoi ai.

E meqenëse viti 2013 posa përfundoi, Lumi insiston se viti që e lamë pas ka qenë ndër vitet më të suksesshme për grupin e tij.