Kandidohem sërish, me kushte

Krstimir Pantic thotë për lajmi.net se do të kandidojë sërish për Kryetar të Mitrovicës, por një kusht. Që procesi zgjedhor të jetë neutral ndaj statusit dhe po ashtu që të gjitha Komunat e Veriut të fitojnë status të veçantë. Tjetër?

Lajme

18/01/2014 18:00

Krstimir Pantic shton kërkesat për Prishtinën, në shkëmbim të ri-kandidimit të tij për Kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Fituesi i zgjedhjeve të fundit për Kryetar të kësaj Komune, i cili e ktheu tërë procesin mbrapshtë, për shkak se nuk pranoi të betohej me simbolet e Kosovës, beson se mospjesëmarrja e tij në zgjedhjet e jashtëzakonshme, do të ndikojë edhe në hezitimin e banorëve serbë për të votuar.

Në një bisedë për lajmi.net, Pantic pohon se do të mendojë për ri-kandidim, vetëm në rast se Prishtina e garanton atë se i gjithë procesi zgjedhor do të jetë neutrale ndaj statusit dhe nëse të gjitha Komunat në Veri do të fitojnë status të veçantë.

Ish-kandidati i Listës Serbe për Kryetar të Mitrovicës së Veriut, refuzimin për ta bërë betimin, e arsyeton me, siç thotë ai, obligimet që ka ndaj Qeverisë së Serbisë për të mos e pranuar shtetësinë e Kosovës.

“Unë mund ta rishqyrtoj mundësinë e kandidimit, vetëm nëse garantohet, jo vetëm gojarisht, por edhe me të shkruar, që procesi do të jetë neutral ndaj statusit dhe që Komunat në Veri të Kosovës të kenë një status të ndryshëm për dallim me ato të pjesës në Jug”.

“Pasi që dokumentet e betimit nuk kanë qenë neutrale ndaj statusit, unë kam pasur obligim moral, por edhe ndaj Qeverisë sime, që të mos e nënshkruaj atë deklaratë zyrtare, sepse në të ka pasur elemente që kanë treguar Pavarësinë e Kosovës, gjë që nuk është në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”.

“Nuk mendoj që serbët do të dalin më në zgjedhje, pasi që Prishtina ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit në zgjedhjet e fundit dhe për këtë ka përkrahjen edhe të Bashkimit Europian”.

Pantic kishte refuzuar ta bëjë betimin për Kryetar të Komunës së Mitrovicës së Veriut, pasi që kishte konstatuar se në dokumentet e betimit kishte pasur Simbole të Republikës së Kosovës të mbuluara me letër-ngjitëse.

Ai përmend disa garanci shtesë nga Prishtina, për të ri-kandiduar në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Mitrovicës, që pritet të mbahen në fund të muajit shkurt.

“Garancitë janë që zgjedhjet të mbahen neutrale ndaj statusit, përfshirë edhe materialin zgjedhor dhe të gjitha dokumentet e konstituimit të qeverisjes lokale. Të mos ketë asnjë detyrim i cili tregon të ashtuquajturën Pavarësi të Kosovës, pasi që ne këtë nuk do ta pranojmë asnjëherë.”

“Ne i kemi garantuar qytetarëve tanë që zgjedhjet do të jenë neutrale ndaj statusit dhe nuk besoj që ata do të tolerojnë që edhe një herë të jenë të tradhtuar”.

Pantic ka komentuar edhe vrasjen e Këshilltarit Komunal të Komunës së Mitrovicës së Veriut nga radhët e SLS’së, Dimitrije Janjicijevic, duke thënë se ai është një krim i cili nuk i kontribuon as serbëve por as shqiptarëve që jetojnë në atë pjesë.

“Gjithsesi se do të ketë ndikim politik. Ne menjëherë e kemi gjykuar këtë vrasje dhe kemi kërkuar nga organet që ta zbardhin këtë rast, në mënyrë që vrasësit të dënohen. Mendojmë se krime të tilla nuk i shkojnë përshtati as serbëve, por as shqiptarëve. Për këtë arsye kërkojmë nga faktori ndërkombëtar që sa më shpejt ta zgjidhë këtë rast”.

“Pa marrë parasysh se kush ka mundur ta bëjë këtë krim, mund të them se dhuna nuk është mënyrë e zgjidhjes së problemeve. Ne presim nga njerëzit përgjegjës të tregojnë se kush e ka kryer krimin, cilat kanë qenë motivet dhe të dihet mirë për këtë rast”, ka thënë Krstimir Pantic, për lajmi.net.