Kampionia e botës, Sophie Sorschag merr nënshtetësinë kosovare

Skitarja e kërcimeve së larti, Sophie Sorschag, ka pranuar sot dekretin për dhënie të shtetësisë së Kosovës. Dekreti iu dorëzua nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi dhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës (FSK), Milaim Kelmendi, njëherit nënpresident i KOK-ut. Presidenti Krasniqi falënderoi presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, për lëshimin e…

Sport

03/04/2023 16:15

Skitarja e kërcimeve së larti, Sophie Sorschag, ka pranuar sot dekretin për dhënie të shtetësisë së Kosovës.

Dekreti iu dorëzua nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi dhe kryetari i Federatës Skitare të Kosovës (FSK), Milaim Kelmendi, njëherit nënpresident i KOK-ut.

Presidenti Krasniqi falënderoi presidenten e shtetit, Vjosa Osmani, për lëshimin e dekretit dhe bashkëpunimin e frytshëm me KOK-un në mbështetje të sportistëve.

“Do të kemi një sportiste të re të sporteve dimërore dhe kjo do të jetë risi, pasi është sport i veçantë, ku shumë pak shtete në botë kanë garuese të sportit të tillë. Sophia do ta përfaqësojë Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, ku presim rezultate si nga Kampionatet Botërore, ashtu edhe në Lojërat Olimpike Dimërore, e ku fokusi është “Milano Cortina 2026”. Së shpejti ajo do të hyjë edhe në listën e bursave olimpike”, tha presidenti Krasniqi, duke shpresuar se në të ardhmen Qeveria do të investojë edhe në infrastrukturën dimërore.

I pari i FSK-së, Kelmendi, theksoi se bëhet fjalë për një sportiste të nivelit botëror, e cila pritet t’i sjell Kosovës medalje. “Faleminderit Sophies dhe ekipit të saj që kanë zgjedhur Kosovën. Shpresat janë të mëdha që ajo të na sjell medalje nga gara të nivelit të lartë, e synimet e përbashkëta janë Lojërat Olimpike Dimërore”, deklaroi Kelmendi.

Nga ana e saj, Sorschag, u shpreh krenare që i është dhënë mundësia të përfaqësojë Kosovën. “Është nder i madh për mua që do ta përfaqësojë Kosovën. Faleminderit KOK-ut, FSK-së, trajnerit, familjes time dhe gjithë atyre që e kanë bërë të mundur të përfaqësojë Kosovën. Së bashku do të punojmë për të pasur një të ardhme të suksesshme”, tha ajo.

Skitarja Sorschag, me prejardhje nga Austria, në janar të këtij viti vendosi të përfaqësojë Kosovën në garat ndërkombëtare të kërcimeve me ski. Ajo është kampione e botës në ekipore me Austrinë në vitin 2021, si dhe pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore Pekini 2022./Lajmi.net/