Kampioni i mundjes në ish-Jugosllavi, tani shitës i librave

Dikur mundës që dridhte ish Jugosllavinë. Njeriu që ka prekur majat e mundjes në ish Jugosllavi dhe kampioni i shumëfishtë i Kosovës, tani është librashitës. Ky është Mirsad Krasniqi.

Lajme

12/03/2015 12:13

Ish mundësi i njohur që kishte fituar shumë tituj të mëdhenj, tani më nuk është pjesë e botës së sportit. Ish kampionin çdo ditë mund të shohësh në një cep tek sheshi “Zahir Pajaziti”, aty ku edhe shet libra për të siguruar mbijetesën familjes së tij.

Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, është shprehur i zhgënjyer me nivelin e mundjes që është sot në vendin tonë. Ai thotë se mundja e atëhershme më mundjen që zhvillohet sot është shumë larg, madje sipas tij, mundja e sotme është për gjynah.

“Me keq ardhje duhet të them dhe të konstatojë se mundja atëherë ishte shumë më e lartë, do të thotë shumë më cilësore, tani mundja është për keqardhje. Një sport që ishte krenaria e Kosovës, tani ka mbetur për gjynah”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka treguar arsyet se pse nuk është pjesë mundjes. Krasniqi e akuzon kryetarin e Federatës së Mundjes së Kosovës (FMK), Naim Mujën. Krasniqi thekson se Muja e ka detyruar të largohet nga mundja.

“Për momentin nuk jam i kyçur në sport. Kam qenë gjithmonë i lidhur prej momentin kur kam filluar me sport në vitin 1977 kur është themeluar klubi i parë në Prishtinë, e deri në para katër-pesë vitesh kur erdhi në krye te Federatës, Naim Muja, i cili më parë ishte kryetar i klubit Prishtina, por si duket atij njeriu ia kisha zënë rrugën dhe bëri çmos që të më largojë nga mundja, do të thotë me sjelljen jo korrekte. Sa ishte kryetar i klubit Prishtina nuk bëri asnjë kushte për sportin dhe me detyroi që unë të largohem nga mundja. Në shenje revolte them se mundja me ardhjen e atij njeriu përfundoi”, ka theksuar Krasniqi.

Ai ka folur edhe për punën e librashitësit. Krasniqi thotë se me librin është i lidhur nga viti 1981, por ai e pranon se kjo ishte rruga për të mbijetuar. Krasniqi shton se nuk do të kyçet në sport, sepse sipas tij, kryetari i Federatës i ka uzurpuar të gjithat.

“Unë kam punuar edhe më parë, kam qenë i punësuar në ndërmarrjen gazetare Rilindja, kam punuar prej viti 1981 me librin, pra kjo me ka lidhe, por edhe me ka lidhe sepse disi duhet të mbijetojë. Për momentin nuk ka kushte, sepse ai njeri i ka uzurpuar të gjithat. Unë nuk e di se si nuk turpërohet kur shkon nëpër turne kur mundësit tonë humbin me rezultat katastrofale, ndoshta asnjë pikë nuk e marrin, ne edhe për para kemi humbur, por kemi humbur burrërisht, ndershëm, megjithëse, ato ishin të pakta”, ka pohuar Krasniqi, cili mendon se mundësitë tonë janë shumë larg nivelit për të fituar medalje në Lojërat Olimpike Evropiane ‘Baku 2015’, si dhe në Lojërat Olimpike ‘Rio De Janiero 2016”, ka thënë Krasniqi.