Kamberi: Dorëheqja e Vuçeviq, përpjekje për të larguar vëmendjen nga sulmet e Vuçiq ndaj studentëve
Analistja Kaltrina Kamberi ka komentuar zhvillimet e fundit në Serbi pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviq nga posti i kryeministrit, nën presionin e protestave disamujore të studentëve dhe qytetarëve. Kamberi ka thënë se SNS është përfshirë në sulme ndaj studentëve protestues, përfshirë edhe goditjen me veturë të një studente serbe, e gjithë kjo si pjesë e…
Lajme
Analistja Kaltrina Kamberi ka komentuar zhvillimet e fundit në Serbi pas dorëheqjes së Millosh Vuçeviq nga posti i kryeministrit, nën presionin e protestave disamujore të studentëve dhe qytetarëve.
Kamberi ka thënë se SNS është përfshirë në sulme ndaj studentëve protestues, përfshirë edhe goditjen me veturë të një studente serbe, e gjithë kjo si pjesë e përpjekjeve të regjimit në Beograd për të frikësuar dhe ndalur protestat.
“Ky sulm është vetëm një pjesë e dhunës më të gjerë politike të mbështetur dhe mbrojtur nga individë me lidhje të ngushta me partinë në pushtet. Fotot që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë lidhjet e ngushta mes disa prej sulmuesve dhe Mihailo Vuçeviq, djalit të kryeministrit Millosh Vuçeviq. Këto foto paraqesin Mihailo Vuçeviq duke marrë pjesë në aktivitete me këta individë, të cilët janë të lidhur ngushtë me SNS-në. Ky nuk është thjesht një incident i izoluar, por një model dhune i mbështetur nga struktura të fuqishme brenda partisë, duke u dhënë imunitet sulmuesve dhe duke krijuar një atmosferë frike dhe terrori”, ka thënë Kamberi në X.
Për më tepër, këto foto janë ende të dukshme në llogarinë në Instagram të Mesnik Odbor SNS Bulevar, pavarësisht tentativave për t’i fshirë. Kjo është dëshmi e qartë e lidhjeve mes këtyre individëve dhe institucioneve të pushtetit, të cilat tashmë po përballen me pasojat e dhunës së shfrenuar ndaj studentëve. Këto sulme synojnë të shtypin të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe shprehur lirisht mendimin e tyre dhe kjo dhunë është vazhdimësi e politikave të dhunshme të mbështetura nga SNS, ka shtuar Kamberi.
Ajo thotë se dorëheqja e kryeministrit serb është pasojë e drejtpërdrejtë e këtyre ngjarjeve dhe një njohje e qartë e përfshirjes së partisë dhe individëve të saj të lartë në këtë dhunë.
“Kjo dorëheqje nuk duhet parë si një akt i nderuar, por si një përpjekje për të larguar vëmendjen nga lidhjet e ngushta të partisë drejt akteve të dhunës. Është një lëvizje e drejtuar vetëm nga presioni publik, ndërsa përgjegjësia për të gjitha këto ngjarje mbetet e atyre që mbrojnë dhe inkurajojnë këtë model të dhunshëm politik”, ka përfunduar Kamberi.