Kadrijaj ngre shqetësime për përzgjedhjen e bordeve në RTK: Ka interferenca politike

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar proceset e përzgjedhjes së kandidatëve për borde në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe agjenci të tjera, duke pretenduar se ato po ndikohen nga politika. Ajo ka ngritur shqetësime për mënyrën e vlerësimit të kandidatëve gjatë intervistave, duke thënë se në disa raste pikët nuk janë ndarë në…

Lajme

26/11/2026 11:21

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, ka kritikuar proceset e përzgjedhjes së kandidatëve për borde në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe agjenci të tjera, duke pretenduar se ato po ndikohen nga politika.

Ajo ka ngritur shqetësime për mënyrën e vlerësimit të kandidatëve gjatë intervistave, duke thënë se në disa raste pikët nuk janë ndarë në bazë të përgatitjes dhe meritave profesionale.

Sipas Kadrijajt, kandidatët që kanë treguar performancë të dobët janë vlerësuar me pikë maksimale, ndërsa ata që kanë dëshmuar përgatitje profesionale kanë marrë pikë minimale.

Ajo ka pretenduar se kjo situatë ka bërë që disa kandidatë me integritet të tërhiqen nga gara, pasi kanë humbur besimin në paanshmërinë e procesit.

“Ka interferenca politike. Ai që i ka më shumë kriteret politike për të qenë në bord apo në agjenci, ka dalë i përzgjedhur”, ka deklaruar Kadrijaj.

Deputetja ka vënë në pikëpyetje edhe integritetin e komisioneve vlerësuese, duke theksuar se, sipas saj, interesat politike po mbizotërojnë ndaj kritereve profesionale në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve dhe agjencive. /Lajmi.net/