Kadrijaj: Bashkëpunimi me Vetëvendosjen është i papranueshëm për Aleancën
Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se ofertat e Albin Kurtit ndaj partive opozitare për bashkëqeverisje kanë qenë qesharake. “Po mendoj që nuk kanë qenë oferta serioze dhe të sinqerta. LDK-ja e ka provuar një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe prej atij koalicioni është dashur të shkëputet shumë shpejt,…
Lajme
Time Kadrijaj, deputete e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se ofertat e Albin Kurtit ndaj partive opozitare për bashkëqeverisje kanë qenë qesharake.
“Po mendoj që nuk kanë qenë oferta serioze dhe të sinqerta. LDK-ja e ka provuar një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe prej atij koalicioni është dashur të shkëputet shumë shpejt, për shkak se nuk ka qenë partner i sinqertë. Nëse lidhet një marrëveshje, ajo duhet të respektohet”, ka deklaruar Kadrijaj.
Sa i përket ftesës që Kurti i ka bërë Fatmir Limajt, deputetja tha se kjo dëshmon mungesën e sinqeritetit të tij.
“Në takimin që ka pasur me bashkatdhetarët në Britani, në Londër, shiheni sa i pasinqertë ka qenë duke thënë se ka pasur kaq numra, ndërsa ka kërkuar kaq. Unë i kam ofruar këto – pra asgjë këtu nuk ka pasur sinqeritet. Nuk ka qenë një marrëveshje apo disa takime që kanë kërkuar bashkëpunim të sinqertë e korrekt, që ndoshta do të kishin qenë në të mirë të Kosovës”, ka thënë ajo në një linjë direkte në Dukagjin.
Më tej, Kadrijaj ka deklaruar se AAK është kundër çdo forme bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne kemi qenë të qartë prej fillimit,” ka shtuar ajo, duke theksuar se koalicioni i arritur mes AAK-së dhe VV-së në Fushë Kosovë është bërë pa dijeninë e qendrës.
“Ne jemi befasuar kur e kemi parë një fotografi, por megjithatë, ju e dini që anëtarësia nuk mund të votojë ashtu siç deklaron ajo, nëse nuk e ka pasur përkrahjen e qendrës,” ka vijuar ajo.
Kadrijaj shtoi se forca politike e AAK-së në Fushë Kosovë nuk mund të përcaktojë me saktësi kush mund të jetë fitues në atë komunë.
“Forca politike e Aleancës në Fushë Kosovë nuk mund të determinojë mirë ose saktë se kush mund të jetë fitues në Fushë Kosovë,” ka përfunduar ajo.