“Kadri Zeka” do të mbetet pa shtëpi
Qeveria e Kosovës dhe Komuna e Gjilanit duket që do të kenë probleme në mes vete rreth hapësirës për Universitetin Publik “Kadri Zeka” të Gjilanit.
Lajme
Universiteti i Gjilanit nuk mund të shfrytëzoj më hapësirën e shkollës së mesme.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë për Kosovapress se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Universiteti duhet të gjejnë resurse buxhetore, kurse, shprehet i gatshëm për të dhënë pronat e Komunës së Gjilanit për ndërtimin e një kampusi universitar.
“Ky ishte viti i parë dhe natyrisht që kanë pas nevojë për mbështetje, por prej vitit të arshëm akademik, Universiteti nuk mund të shfrytëzojë më as hapësirën e shkollës së mesme dhe as hapësira e konviktit”, ka deklaruar Haziri.
Kryetari i Gjilanit ka thënë se vendi më i mirë se ku do të mund të bëhej kampusi universitar është vendi ku aktualisht gjendet kazerma e Batalionit të Parë të Reagimit të Shpejtë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ai ka propozuar të ndërtohet kazerma në fshatin Zhegoc apo pjesë tjera të Kardakut, dhe se ndërtimi i një kampusi universitar do të krijonte mundësi tjera edhe për studentët edhe për stafin.