Kadri Kryeziu në një vijë me Dimal Bashën: Nuk ka pengesë kushtetuese për funksionalizimin e Kuvendit
Ish-deputeti dhe veprimtari politik, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj debateve që kanë shpërthyer pas konstituimit të pjesshëm të Kuvendit të Kosovës, duke i cilësuar si “sabotim të funksionalizimit të shtetit” pretendimet se Kuvendi nuk mund të funksionojë pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb. Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kryeziu…

Lajme
Ish-deputeti dhe veprimtari politik, Kadri Kryeziu, ka reaguar ashpër ndaj debateve që kanë shpërthyer pas konstituimit të pjesshëm të Kuvendit të Kosovës, duke i cilësuar si “sabotim të funksionalizimit të shtetit” pretendimet se Kuvendi nuk mund të funksionojë pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Kryeziu i është referuar nenit 67 të Kushtetutës, duke theksuar se teksti kushtetues “nuk parasheh domosdoshmërinë e zgjedhjes së të gjithë nënkryetarëve në mbledhjen e parë të Kuvendit” dhe se “asnjë nen nuk thotë se Kuvendi është jofunksional nëse mungon një nënkryetar”., transmeton lajmi.net.
“Kushtetuta thotë që Kuvendi e zgjedh Kryetarin dhe pesë nënkryetarë. Më pas thotë që këta gjashtë të zgjedhur e formojnë Kryesinë që menaxhon funksionimin administrativ të Kuvendit. Kaq. Kushtetuta nuk thotë që patjetër duhet të zgjidhen menjëherë, që në mbledhjen e parë,” shkroi Kryeziu.
Ai kritikoi ashpër ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke e quajtur atë “delikuent shkencor” dhe “mendje djallëzore që e urren popullin e vet”, për interpretimet e tij se Kuvendi nuk mund të konstituohet pa zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.
“Kjo çfarë po bëni është sabotim i funksionalizimit të shtetit, është TRADHTI. Mos shpikni gjëra që as Ahtisari nuk i ka menduar, gjëra që as Serbia nuk i sheh as në ëndërr,” theksoi Kryeziu.
Sipas tij, shteti i Kosovës është shtet i shqiptarëve si shtyllë konstituive, ndërsa minoritetet janë të barabarta para ligjit dhe Kushtetutës, por nuk kanë të drejtë veto për funksionalizimin e institucioneve.
“Populli shqiptar është pronar, titullar, është shtylla konstituive e kësaj Republike. Nuk mund që një Simiq apo një kushdo, a një recidivist delikuent si Enver Hasani, të zhveshë një popull të tërë nga e drejta e pronësisë mbi këtë shtet,” përfundoi Kryeziu./lajmi.net/