Kadetët e FSK-së shpërblehen me medalje të artë në Itali

Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u shpërblyer me medaljen e artë nga Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) në Sanremo të Italisë. Medalja u fitua në garën prestigjioze ndërkombëtare të Ligjit të Konfliktit të Armatosur (LOAC), ku…

Lajme

07/04/2025 16:20

Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u shpërblyer me medaljen e artë nga Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) në Sanremo të Italisë.

Medalja u fitua në garën prestigjioze ndërkombëtare të Ligjit të Konfliktit të Armatosur (LOAC), ku morën pjesë akademi ushtarake nga vende të ndryshme të botës.

FSK ka bërë të ditur se ky është suksesi i parë dhe i menjëhershëm i Qendrës për Studime Universitare në këtë kompeticion të nivelit të lartë, duke dëshmuar profesionalizmin dhe përgatitjen e kadetëve kosovarë në skenarë të simuluar të situatave ushtarake dhe humanitare.

Gara e IIHL-së është një platformë ku kadetët testohen në zbatimin praktik të ligjit ndërkombëtar humanitar, duke vepruar në role këshilltare në situata të imagjinuara të konfliktit të armatosur. E zhvilluar në gjuhën angleze, kjo garë kërkon një nivel të lartë të përgatitjes ligjore, gjuhësore dhe ushtarake.

Kadetët e QSU-së jo vetëm që përfaqësuan denjësisht Kosovën, por edhe ndërtuan marrëdhënie bashkëpunimi me pjesëmarrës nga shtete të tjera, duke rritur vizibilitetin e FSK-së dhe forcave të armatosura kosovare në skenën ndërkombëtare.

“Triumfi i kadetëve tanë me medalje të artë reflekton përkushtimin, disiplinën dhe progresin që po shënon QSU si një institucion akademik ushtarak”, thuhet në njoftimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ky arritje vjen si një dëshmi tjetër e profesionalizmit të FSK-së dhe aspiratës për të qenë një forcë moderne, e përgatitur dhe e integruar në standardet ndërkombëtare të mbrojtjes dhe të drejtës ndërkombëtare humanitare.