Kadare boton libër mbi masakrën serbe në Prishtinë

Shtëpia Botuese “Onufri” boton për herë të parë si libër më vete romanin e Ismail Kadaresë “Krushqit janë të ngrirë”. Kjo vepër, dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe në Prishtinë në pranverë të vitit 1981, u shkrua fill pas saj, në vitet 1981-1983. Ndër të tjera, ajo pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë.

ShowBiz

26/01/2016 13:53

Për fat të keq, pavarësisht nga ky synim, vepra u prit fare ftohtë nga Shqipëria zyrtare, gjë që shpjegon botimin e saj tepër të vonë, më 1986, në përmbledhjen e tregimeve “Koha e shkrimeve”. Vepra nuk u botua asnjëherë si libër më vete. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Evropës, hodhi dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës, transmeton lajmi.net

Në këtë angazhim të gjerë dhe gjithëpërfshirës për Kosovën, Kadareja është shfaqur i tërësishëm dhe i përplotësueshëm. Bashkësisë ndërkombëtare dhe opinionit botëror i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një gjuhë të qartë konotative, ndërkohë që me kosovarët herë pas here ka ditur të jetë kritik, madje i ashpër, duke kërkuar prej tyre që të përballen me sfidat dhe të jenë në nivel të çastit historik të Kosovës.

Sado që kritikat e Kadaresë te disa politikanë lokalë ndonjëherë krijonin shqetësim dhe pakënaqësi, në opinion ato pranoheshin gjerësisht, si mesazhe fort të vyera dhe udhërrëfyese, shpesh edhe si kredo e angazhimit dhe e reagimit politik ndaj zhvillimeve aktuale.

Edhe sot, shestimet e Kadaresë për modelet e shoqërisë shqiptare, përkundër faktit se mund të mos lidhen drejtpërdrejt me Kosovën, kanë jehonë të madhe në opinionin kosovar dhe janë kontribut i vyer për profilizimin botëkuptimor të shoqërisë kosovare, si shoqëri me vlera perëndimore, thuhet në njoftimin e shtëpisë botuese ‘Onufri’.

Vepra letrare e Kadaresë, shkrimet dhe analizat publicistike, intervistat dhe deklaratat, pse jo edhe mesazhet gojore, kanë luajtur rol emancipues për Kosovën dhe kosovarët. Dashuria e tij për Kosovën, angazhimi i sinqertë intelektual, qëndrimi i paluhatshëm parimor, kanë bërë që Kadareja të bëhet pjesë e identitetit kosovar. /lajmi.net