Kadaj-Bujupi mohon se do t’i bashkohet Kurtit në Qeveri

Ish-deputetja e Kuvendit, Donika Kadaj-Bujupi mohon se do të jetë pjesë e Qeverisë Kurti.

Lajme

08/04/2021 21:06

Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ajo ka bërë të ditur se nuk është e interesuar të bëhet pjesë ekzekutivit.

Posti i plotë:

Lajmi i publikuar në disa media se do të bëhem pjesë e Qeverisë së Repubikës së Kosovës nuk është i saktë. ​

As nuk jam ftuar dhe as nuk jam e interesuar të bëhem pjesë e ekzekutivit.

Koha ka dëshmuar se kisha të drejtë në kundërshtimin e Qeverisë jolegjitime të z.Avdullah Hoti.

Tashmë, Republika e Kosovës ka institucione legjitime. Kjo është pozitive. ​

Pushtetit i uroj realizimin e zotimeve parazgjedhore, ndërsa opozitës reflektim e reforma përmbajtësore, përfaqësuese dhe strukturore; në funksion të ndërtimit të kundër-pushteteve të domosdoshme për zhvillimin e demokracisë dhe për funksionalitetin e Republikës.

Në ndërkohë, unë mbetem e përkushtuar në aktivitete rekreative dhe familjare./Lajmi.net/