Juristi Fetahu për nismën e Osmanit: Amendamentet janë shpallur kundërkushtetuese, kjo është tallje

Juristi Faton Fetahu, ka reaguar pasi që presidentja Vjosa Osmani ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, për të cilat tha se ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011. Fetahu, ka vlerësuar si të ‘’papërgjegjshme dhe juridikisht absurde’’, nismën e Osmanit për procedim dhe votimin e…

Lajme

05/03/2026 18:25

Juristi Faton Fetahu, ka reaguar pasi që presidentja Vjosa Osmani ka proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, për të cilat tha se ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011.

Fetahu, ka vlerësuar si të ‘’papërgjegjshme dhe juridikisht absurde’’, nismën e Osmanit për procedim dhe votimin e ‘’amendamenteve që janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën’’.

‘’Nisma për procedimin dhe votimin e amendamenteve që janë shpallur në kundërshtim me Kushtetutën është e papërgjegjshme dhe juridikisht absurde. Në aktgjykimin KO29/12 dhe KO48/12, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka konstatuar qartë se Amendamenti 3, që ndryshon nenin 86 për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht paragrafi 3 që kufizon kandidimin vetëm për subjektet që kanë kaluar pragun zgjedhor, është në kundërshtim me Kapitullin II të Kushtetutës’’, ka thënë ai për Express

Tutje, Fetahu, ka shtruar pyetjen se si ‘’mund të propozohet për votim një amendament që nuk e ka kaluar testin kushtetues?’’, duke shtuar se, ‘’kjo është mungesë elementare njohje të Kushtetutës’’.

‘’Si mund të propozohet për votim një amendament që nuk ka kaluar testin kushtetues? Për një juriste dhe asistente në fakultet, kjo është një mungesë elementare njohjeje të Kushtetutës dhe procedurës kushtetuese – më shumë se gabim, kjo është tallje me rendin kushtetues’’, ka thënë ai.