“Ju ftoj me zemër të votoni” – Zyrtarët e VV-së dalin me thirrje për qytetarët!
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në orët e fundit kanë dal me thirrje për qytetarët që të votojnë e mos ta lënë për fund. Ministri në detyrë i mbrojtjes, Ejup Maqedonci i ka ftuar me zemër qytetarët që të dalin të votojnë, transmeton lajmi.net “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Sot është dita e vendimmarrjes…

Lajme
Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në orët e fundit kanë dal me thirrje për qytetarët që të votojnë e mos ta lënë për fund.
Ministri në detyrë i mbrojtjes, Ejup Maqedonci i ka ftuar me zemër qytetarët që të dalin të votojnë, transmeton lajmi.net
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Sot është dita e vendimmarrjes tuaj, për të ardhmen tuaj dhe të Komunës tuaj. Zgjedhjet lokale janë mundësi për të vendosur për drejtimin e komunës suaj, për zhvillimin e shërbimeve publike, infrastrukturës, shëndetësisë, arsimit dhe mirëqenies. Ju ftoj me zemër dhe me përgjegjësi që të dilni masivisht dhe të ushtroni të drejtën tuaj demokratike përmes votës! Çdo votë ka peshë, çdo zë ka rëndësi, çdo qytetar bën ndryshimin. Kanë mbetur më pak se katër orë deri në mbylljen e procesit zgjedhor. Le ta shfrytëzojmë këtë moment! Së bashku, ta bëjmë këtë ditë madhështore, ditën e fitores së vullnetit qytetar! Dilni në zgjedhje, votoni me vullnet dhe përgjegjësi, për të ardhmen që dëshironi!”, shkroi Maqedonci në Facebook.
Një thirrje të ngjashme, por më urgjente e ka bërë zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka.
“ME RËNDËSI Kushdo që ende nuk ka votuar, është mirë të dilni TASH dhe mos e lini për më vonë, sepse prej orës 17:00-19:00 pastaj mund të ketë edhe radhë nëpër vendvotime dhe ju bjen të prisni.”, tha ai.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati po ashtu thirrje qytetarëve që të votojnë.
“Edhe pak orë kan mbetë me votu. Dilni e votoni 5 minuta, për 4 vite mirëqeverisje!”, tha ai, duke ia bashkangjitur një video.
Ministrja në detyrë e MINT, Rozeta Hajdari doli me thirrje që çdo votë ka peshë.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë tonë – zgjedhjet lokale në të gjithë vendin. Ju ftoj të gjithëve që të dilni dhe të votoni, të ushtroni të drejtën tuaj kushtetuese dhe të ndikoni drejtpërdrejt në të ardhmen e komunave tona. Pjesëmarrja juaj është thelbësore për ndërtimin e institucioneve të forta dhe transparente, dhe për përmirësimin e jetës në shoqërinë tonë. Çdo votë ka peshë. Çdo zë ka rëndësi! Dilni dhe votoni – për një Kosovë më të drejtë, më të zhvilluar dhe më demokratike!”, tha ajo.
Kandidati i VV-së në Gjilan, Alban Hyseni ka dal me një thirrje për qytetarët e kësaj komune që të shfrytëzojnë të drejtën e votës.
“Kanë mbetur veç edhe pak orë deri në mbyllje të vendvotimeve. Gjilanas të dashur, dilni dhe votoni për komunën tonë, bëhuni pjesë e vendimmarrjes për katër vitet e ardhshme.”, tha ai, duke ia bashkangjitur një video./lajmi.net/