Josipovic me mesazh për dialogun
Presidenti kroat tha se vendi i tij mbështet dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Këto bisedime, sipas tij, do të duhej të sillnin si rezultat normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dyja vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Lajme
Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipovic, është pritur me nderimet më të larta nga Presidentja Atifete Jahjaga, në vizitën e tij të parë zyrtare në Kosovë.
Një tepih i kuq në mes të Sheshit “Ibrahim Rugova” ishte bërë gati që në mëngjes për pritjen e Presidentit kroat, për të cilin nderuan me rreshtim pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Presidenti kroat tha se vendi i tij mbështet dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Republika e Kroacisë mbështet fuqishëm bisedimet që po zhvillojnë Republika e Kosovës dhe ajo e Serbisë dhe konsiderojmë që përparimi i bërë është shumë i rëndësishëm dhe i përgëzojmë të dyja palët.”
“Këto bisedime do të duhej të sillnin si rezultat normalizimin e plotë të marrëdhënieve midis dyja vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian”.
Jahjaga ka kërkuar mbështetjen e Zagrebit zyrtar në çështjet që kanë të bëjnë me përfaqësimin dhe anëtarësimin e Kosovës në nismat dhe konferencat rajonale.
Presidentja, po ashtu, ka përgëzuar edhe një herë Presidentin Josipovic për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian.
“Kjo është një e arritur për Kroacinë por edhe gjithë rajonin”.
Josipovic është pritur edhe nga Kryeministri Hashim Thaçi, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ndërsa do të ketë një vizitë edhe në Janjevë – ku është i koncentruar minoriteti kroat që jeton në Kosovë.