“Jo-fisnike”, “Hugo Chavez” e “Kurrë në VV” – Cili prej tyre ndryshoi që Osmani e Kurti u bënë bashkë?

Nuk po i ndahen njëri-tjetrit në fushatë. Përveç marrëveshjes formale për të garuar së bashku në zgjedhje, Vjosa Osmani e Albin Kurti që dikur ishin oponentë të vrazhdë me njëri-tjetrin tash pretendojnë t'i fitojnë së bashku zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lajme

12/02/2021 23:01

Por, bashkëpunëtorja më e ngushtë e Kurtit, Vjosa Osmani dikur kishte gjuhë të ashpër, ishte mjaft kritike e absolutisht refuzuese ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan lajmi.net.

Vjosa Osmani në një diskutim në parlamentin e Kosovës me deputetët e VV-së, iu kishte thënë atyre se ajo dhe Lumir Abdixhiku kurrë nuk do të shkojnë në Vetëvendosje.

“Shikoni sa deputetë ish-deputetë të PDK-së ke përrreth, sa ish-LPK-istë ke përreth dhe do ta marrësh përgjigjen pse unë e Lumiri, jo sot, por kurrë nuk do të vijmë në Vetëvendosje”, kishte thënë Osmani gjatë atij diskutimi.

E përveç kësaj, Osmanit i pengonte edhe të flitej për një kalim të mundshëm të saj në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo thoshte se karriera politike e saj lidhet me LDK-në dhe asnjëherë me një parti tjetër dhe kishte premtuar se do të përfundonte karrierën politike nëse nuk do të ishte në LDK.

“Krejt karriera ime politike lidhet me LDK-në dhe do të lidhet vetëm me LDK-në, kurrë asnjëherë me asnjë parti tjetër. Në ditët që unë nuk jam në LDK, nuk jam më as në politikë. Kaq. Aty unë e përfundojë karrierën time politike”, kishte thënë Osmani.

Osmani e kishte krahasuar Kurtin edhe me diktarorin Hugo Chavez.

“Mes meje dhe z.Kurti është z.Kurti ai që e konsideron PDK-në si konstante, ndërmjet meje dhe z.Kurti është z.Kurti ai që sot thotë do të bashkëpunojë me Hashim Thaçin, mes meje dhe z.Kurti nuk kam qenë unë në këtë studio por ka qenë ai që ka thënë se qeverinë e ardhshme do ta ndërtojë me eksponentë të PDK-së dhe AAK-së. Z.Kurti duhet ta pranojë Kosovën si projekt të përhershëm, duhet ta dojë republikën e Kosovës siç e dua unë edhe kur jam në opozitë edhe kur jam në pushtet. Unë shpresoj që do të ndryshojë sepse është e domosdoshme, sepse në fakt ka ndryshuar në gjithçka, e vetmja që i ka mbetur sepse për të gjitha kartat tjera ka hequr dorë, mirëpo kjo nuk nënkupton që ne nuk duhet të shkojmë nga një sistem i Pablo Escobarit që me të drejtë qytetarët e kanë krahasuar, në një sistem të Hugo Chavezit, sepse për fat të keq z.Kurti dhe partia e tij po i helmojnë qytetarët me shpifje shumë të ulta.“, kishte thënë Osmani në intervistën e saj në T7.

E me këtë deklaratë të Osmanit nuk ishte pajtuar Kurti i cili e kishte quajtur jofisnike Vjosa Osmanin.

“Në vitin 1997 kam qenë dy herë në takime me ish-presidentit, Dr. Ibrahim Rugova. Nuk jemi pajtuar me të, por jemi pajtuar me qëllime. Përkundër mospajtimeve, ai nuk më ka thënë as Fidel Castro [ish-presidenti i Kubës], as kurrgjë tjetër. Kjo që ka thënë Vjosa është jofisnike”, ka thënë Kurti për mediat kosovare.

Por, këto e shumë deklarata të tjera, Osmani thotë se i ka bërë nën ndikimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës e gjithashtu se e ka paragjykuar Kurtin, madje e ka mohuar edhe ta ketë krahasuar me Hugo Chavezin.

“Për një kohë të gjatë kam qenë me njerëz që kanë konstruktuar storie të tilla për z. Kurti. Nuk kam pasur ndonjë kontakt që ta njihja z. Kurti. Kam pasur paragjykime të shumta duke u bazuar në ato konstruksione që bëheshin për z.Kurti”, tha Osmani lidhur me këtë çështje.

Këto e shumë çarje e mospajtime të tjera ishin evidente në raportin midis Osmanit e Kurtit në kohën kur Osmani ishte ndër figurat më të rëndësishme të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Se cili do të jetë raporti midis Osmanit e Kurtit pas zgjedhjeve të 14 shkurtit ende nuk dihet, por në VV ka pakënaqësi për privilegjin që e gëzon Osmani si pjesë e listës së VV-së në zgjedhje.

Kurti e Osmani sonte kanë qenë së bashku në një debat televiziv i cili është kritikuar shumë nga analistë, opinionistë, politikanë e njohës të gazetarisë e politikës për mënyrën e organizimit dhe transmetimit të tij.

Gjatë ditës u raportua se Kurti dhe Osmani kishin refuzuar televizioneve të ndryshme të cilave iu kanë kërkuar transmetim që t’i dërgojnë analistët e tyre në debat. Rrjedhimisht, Kurti e Osmani kanë zgjedhur analistët me të cilët janë përballur sonte. /Lajmi.net/