“Jetoj jashtë, humba punën”, mërgimtari i dënuar që kërcënoi Alaudin Hamitin i bie pishman

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Liman Berishën, për veprën penale “Kanosje” ndaj moderatorit Alaudin Hamiti. Sipas aktgjykimit i akuzuari i cili punon dhe jeton në Itali, më 26 nëntor të vitit 2024, përmes rrjetit social Facebook dhe mesazheve zanore, kishte dërguar kërcënime ndaj prezantuesit, duke i shkaktuar atij ndjenjë frike dhe pasigurie. Në…

ShowBiz

26/05/2026 15:08

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Liman Berishën, për veprën penale “Kanosje” ndaj moderatorit Alaudin Hamiti.

Sipas aktgjykimit i akuzuari i cili punon dhe jeton në Itali, më 26 nëntor të vitit 2024, përmes rrjetit social Facebook dhe mesazheve zanore, kishte dërguar kërcënime ndaj prezantuesit, duke i shkaktuar atij ndjenjë frike dhe pasigurie.

Në dokumentin gjyqësor, thuhet se kërcënimet janë bërë me fjalë serioze dhe fyese, ndërsa gjykata ka vlerësuar se veprimet e të akuzuar përbëjnë elementet e veprës penale të kanosjes sipas Kodit Penal të Kosovës.

Më 26 nëntor të vitit të lartpërmendur, Berisha i shkroi Hamitit në Facebook, duke i thënë: “Edi, (ish-banor i BBVK-së) është nipi jem, atë fjalë që ja ka thënë Alaudini, besom ka me pagu me jetë si dhe pe rrit at tone ka me honger plumin shpejt”.

Për këtë rast, gjykata e dënoi Liman Berishën, i lindur Carralevë të Malishevës, me gjobë prej 2500 eurosh, e cila duhej të paguhej me dy këste.

Për kërcënimet ndaj moderatorit të njohur, Liman Berisha i ra fuqishëm pishmanit. Brenda gjykatës, ai përgjërohej për dënim më të butë.

Ai tha: “Ndihem fajtor dhe shprehi pendesë për këtë që kam thënë, unë prej atij incizimi nuk kam pasur kurrfarë të keqe me Alaudinin, kjo është hera e parë që po gjykohem dhe premtoj 100 për qind se nuk do të kryej vepër tjetër dhe Alaudin Hamitit i kërkoj falje publike dhe familjes së tij”.
Po ashtu, i akuzuari Berisha kishte kërkuar nga gjykata t’i shqiptonte gjobë më të butë.

“Unë jetoj jashtë dhe kam humbur punën për çfarëdo që ka jam në gjendje me ardh prej atjehit edhe një herë kërkoi falje”, transmeton KlanKosova.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e prezantuesit, Blinera Osmani, lidhur me pranimin e fajësisë nga i akuzuari kishte deklaruar se si pasojë e kërcënimit serioz, klienti i tij kishte pësuar ndjenjë të pasigurisë së vazhdueshme dhe se kanosja ka ndikuar në jetën e tij duke ia kufizuar edhe lëvizjet e përditshme.

“Kjo gjendje ka çrregulluar jetën e tij të përditshme dhe aktivitetin e tij ditor, duke bërë që i njëjti të jetojë në gjendje pasigurie për veten dhe familjen e tij”, deklaroi Osmani.

Këtij deklarimi i ka qëndruar mbrapa edhe vetë i dëmtuari, pra Alaudin Hamiti.

“Pse ka ndodh kërcënimi kur as nuk e njoh dhe as kërcënuar askënd”, kishte theksuar moderatori.