Jashari: Shpresoj që Gjykata Speciale të mos marr vendim politik, por lirues për katërshen e UÇK-së
Prekazi është qendra, ku shumë qytetarë e bashkëluftëtarë nderojnë familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjen e tij në Kompleksin Memorial në Prekaz, edhe në këtë përvvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Edhe sot homazhe në këtë vend kthese për historinë e Kosovës, bëri kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës…
Lajme
Prekazi është qendra, ku shumë qytetarë e bashkëluftëtarë nderojnë familjen e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe familjen e tij në Kompleksin Memorial në Prekaz, edhe në këtë përvvjetor të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Edhe sot homazhe në këtë vend kthese për historinë e Kosovës, bëri kryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve të luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari. Ai tha se bashkëluftëtarët kanë si mësim se liria është e qëndrueshme kur fitohet me luftë dhe gjakun e dëshmorëve.
Jashari nga Prekazi historik ua uroi pavarësinë e Kosovës krerëve të UÇK-së të cilët po mbahen të paraburgosur në Hagë. Ai shpreson që katërshja e UÇK-së do të lirohet nga akuzat eProkurorisë Speciale, të cilat, siç tha ai, janë përpunuar në Serbi.
“Na lanë një mësim se liria është e qëndrueshme atëherë kur fitohet me luftë dhe gjakun e dëshmitarëve. Nga ky vend u uroj këtë ditë të shënuar krerëve të UÇK-së, të cilët padrejtësisht po mbahen atje nga një gjykatë politike krejtësisht e njëanshme. Shpresojmë dhe besojmë që verdikti përfundimtar gjykata të mos marrë vendim politik dhe t’i lirojë krerët e UÇK-së nga kjo akuzë e shpifur, nga kjo aktakuzë e përpunuar në Beograd. Kërkesa e Prokurorisë speciale na bënë të dyshojmë dhe një kërkesë e tillë sikur edhe po shihet me veprimet e ZPS-së është marrë në Beograd dhe është përkthyer në Gjykatën Speciale në Hagë…Lufta e lavdishme e UÇK-së nuk i ka takuar dhe nuk i takon asnjë partie politike, është vlerë e popullit dhe si të tillë duhet ta ruajmë, ta çmojnë, ta respektojmë dhe t’i japim vendin meritor“, tha ai.
Nga Dukati i Vlorës sot erdhi në Prekaz edhe Pëllumb Skendaj. Tha se do të marr pjesë edhe në marshin “Drejtësi, jo politikë“, që do të mbahet në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen të paraburgosur në Hagë.
Skendaj tha se gjaku i familjes Jashari është lumë për liri dhe shqiptari.
“Gjaku i tyre është lumë për lirinë, për shqiptarinë dhe nuk do ta harrojmë kurrë . Baca bashkë me brezin e vjetër të Ismajl Qemajli dhe Isa Boletinit është monument i përjetshëm i shqiptarisë…Duke mos harruar gjakun e tyre, duke punuar fort për Shqipërinë, Kosovën për shqiptarinë….Të eci para, të lulëzoj dhe të ketë begati sa më të madhe”,tha ai.
Shpallja e Pavarësisë së Kosovës u bë më 17 shkurt 2008 në orën 15:39 në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë. Në një mbledhje të jashtëzakonshme ku morën pjesë 109 nga gjithsej 120 deputetë, Kuvendi i Kosovës njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik./kp