Jashari: Ligji për Paga më shumë do të krijonte dëme sesa siguri juridike

Avokati i Popullit Hilmi Jashari ka treguar për disa nga ankesat që janë deponuar në këtë institucion për Ligjin për Paga në Sektorin Publik të cilat ai i cilëson si ankesa me vend.

Lajme

09/12/2019 23:53

“Ka pasë ankesa të cilat kanë identifikuar saktësisht pozicionet që nuk janë të mbuluara fare në Ligjin për Paga, nuk figurojnë fare në aneksin e këtij ligji dhe nuk përmenden asgjëkundi. Dilema që shtrohet këtu ka qenë se si do të paguhen këta zyrtarë ose këta persona pasi ligji të hyjë në fuqi”.

“Kemi pasë shqetësime që ka sjellë gjithashtu edhe njëri nga autoritetet kryesore në këtë vend që është i autorizuar për të bërë nënshkrimin e pagave në fund të muajit që ka ngritur shqetësimet si autoritet se cila është zgjidhja në këtë situatë”.

“Drejtori i Thesarit ka pasë një reagim shumë të drejtë sepse është person që në fund e vë nënshkrimin mbi një pagesë që është 100 milionë euro”.

Por, çka nëse Ligji i ri për Paga në Sektorin Publik do të zbatohej ashtu siç ishte hartuar?

“Mbi bazën e gjithë kësaj përvoje në këtë fushë, jam shumë i sigurt se dëmi do të ishte shumë më i madh nëse ky ligj do të fillonte të zbatohej në mënyrën se si ishte hartuar. Po të ishte i plotësuar si duhet, përkundër defekteve të vogla, do të mund të rregulloheshin në ndërkohë”.

“Ne kemi pasë plot opinione që kemi dërguar në Kuvend me kërkesën që të plotësohet ai ose ky defekt në dispozita të caktuara. Si i tillë në tërësi, ligji më shumë do të krijonte konfuzion dhe dëme se sa një qartësi dhe siguri juridike për të gjithë të punësuarit në sektorin publik”.

Ai në Zona B të Klan Kosovës ka komentuar edhe për presionet që janë bërë që Ligji për Paga në Sektorin Publik të mos dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

“Nëse thuhet publikisht që Avokati i Popullit nuk guxon të dërgojë në Gjykatë Kushtetuese dhe kjo përbën një vlerë antishtetërore dhe antieuropiane mendoj që është tentim i ushtrimit të ndikimit”.

Por, a mendon Hilmi Jashari që vendimi i tij për ta dërguar këtë ligj në Gjykatë Kushtetuese mund ta destabilizojë qeverinë në ardhje?

“Avokati i Popullit është institucion apolitik jo vetëm në Kosovë, por kudo në botë. Qëllimi dhe synimi kryesor është mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në këtë kuadër bie edhe vlerësimi i ligjeve”.

“E vetmja gjë që kemi bërë ne është ushtrimi i autorizimeve kushtetuese. Nëse për dikë mund të jetë problem ushtrimi i autorizimeve kushtetuese, atëherë le të supozojmë që të ndryshojnë Kushtetutën. Derisa janë të tilla, mendoj që të gjithë qytetarët e këtij vendi, duke i përfshirë institucionet publike, duhet t’i nënshtrohen këtij parimi”.

“Nuk guxojmë të kemi dyshime në autoritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe autorizimin që ka Avokati i Popullit për një kërkesë që të vlerësohet kushtetueshmëria. Përndryshe, nuk do të kishte kuptim ekzistenca as e Gjykatës Kushtetuese dhe as e Avokatit të Popullit”.